Rusia mohon importimin e dronëve iranianë, DASH kërcënon me sanksione

10:54 | 20 Tetor 2022
E.H

Zëvendës Përfaqësuesi i Parë i Përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyansky, ka hedhur poshtë pretendimet se Irani po eksporton drone në Rusi, duke e quajtur atë dezinformim.

Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit thotë se nuk do të hezitojë të përdorë sanksione dhe mjete të tjera të përshtatshme ndaj atyre që marrin pjesë në këto prokurime.

“Ne kemi vëzhguar një raund tjetër të fushatës dezinformuese nga delegacionet perëndimore, ndërsa në Këshillin e OKB-së ata ngritën çështjen e dronëve, që supozohet se përdoren nga Rusia në Ukrainë”, tha Dmitry Polyansky pas përfundimit të konsultimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shkruan euronews.al.

Polyanski shton se Perëndimi po përpiqet “të godasë dy objektiva njëherësh duke shpikur një justifikim artificial për të ushtruar presion mbi Rusinë dhe Iranin”.

“Ne kemi industrinë tonë të dronëve që prodhon avionët që na nevojiten për këtë fushatë, dhe të gjitha këto akuza janë plotësisht në ndërgjegjen e kolegëve tanë perëndimorë”, tha Polyanski.

Ai shton se mbi dronët e shkatërruar mund të shihen mbishkrime në gjuhën ruse.

“Nuk mendoj se gjuha ruse përdoret shumë në Iran”, përfundon Poljanski.

Shpërndaje në rrjete sociale