MPB: Tetë makina janë riregjistruar në RKS

19:33 | 5 Tetor 2022
KRG

Nga 1 shtatori deri më 5 tetor, tetë makina që kanë pasur targa të lëshuara nga autoritetet serbe, janë riregjistruar në targa RKS.

Kështu kanë thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku edhe kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët serbë t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targat e rajonit që i përkasin.

“Regjistrimet janë bërë në tetë komuna të ndryshme, prandaj nuk mund ta theksojmë ndonjë komunë me interesim më të madh. Gjithashtu, tani e tutje të gjithë qytetarët mund të regjistrojnë automjetet e tyre me targa të rajonit që i përkasin, në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve, pavarësisht nga vendbanimi i tyre në Republikën e Kosovës”, thanë nga MPB-ja për Radion Evropa e Lirë.

Qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, me akronime të qyteteve të Kosovës sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme, mund t’i regjistrojnë ato në targa RKS deri në fund të tetorit.

Vlerësohet se rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Por, pas 31 tetorit, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se qytetarët me makina me targa të lëshuara nga Serbia, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës e as ta kalojnë kufirin.

Procesi i riregjistrimit të makinave fillimisht ishte paraparë të niste në gusht, së bashku me vendimin për lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Por, këto dy masa u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët ngritën barrikada në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

Pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të hiqnin dorë nga lëshimi për dokumentit për hyrje-dalje, por nuk u arrit ndonjë ujdi për targat.

Shpërndaje në rrjete sociale