Vazhdon shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi

22:17 | 7 Qershor 2022
Gita

Vendosja e Flamurit Kombëtarë Shqiptarë në institucionet shtetërore, përkundër ndalesave ligjore të Serbisë, po nxitë këtë të fundit që të dënojë jo vetëm udhëheqësit e institucioneve, por edhe vet institucionet në godinat e të cilëve ekspozohet më 28 Nëntor, Flamuri Shqiptar.

“Kjo tashmë për herë të katërt është po e njëjta padi e cila thekson se nuk kem respektuar ligjin e protokollit që nënkupton mosngritjen e flamurit serb, megjithatë kjo ndodh vetëm me Këshillin Kombëtarë Shqiptar dhe tashmë nuk është duke ndodhur me komunat përkatëse, i cili është një standard i dyfishtë i përcaktimit të përdorimit të simbolit kombëtarë, megjithatë ne do të mbesim rezistent deri në realizimin të drejtave tona”, deklaroi Ragmi Mustafi , kryetar i KNSh-së.

“Vendosja e simbolit kombëtarë në godinat e institucioneve publike sidomos në Ditën e Flamurit më 28 nëntor, Në Luginë të Preshevës gjithnjë është konsideruar formë e revoltës ndaj Serbisë për mos lejimin e përdorimit të lirë të simboleve kombëtare shqiptare. Pavarësisht dënimeve që pasojnë, kush do që është në krye të institucioneve publike më 28 nëntor e vendos Flamurin Kombëtarë Shqiptarë.”

Për juristin Nezad Lutfiu, paradoksale është logjika e dënimit të institucioneve publike.

“E paradoksi më i madh është se përveç se dënohet udhëheqësi i institucionit, në këtë rast dënohet edhe institucioni. Që i bie se dënimin për përdorimin e simbolit kombëtarë duhet ta paguajnë edhe qytetarët, sepse institucioni mbijeton përmes taksave të qytetarëve”, tha juristi Lutfiu.

Sanksioni i përdorimit të flamurit shqiptarë është i papranueshëm për qytetarët shqiptarë në Luginë.

“Kjo është me të vërtet ajo faqja e pushtetit serb, ajo faqja e ndyrë e cila përderisa kërkon të drejta superiore për serbët në Kosovë, ato i shkel me dy këmbë në pjesën tonë, pra në Luginë të Preshevës”, Reshat Salihu, qytetar.

E avokati Reshat Memeti, thotë se duhet ndryshuar ligji i cili nuk është në interes të qytetarëve shqiptarë.

” Meqë nuk ka bazë ligjore për përdorim, për atë arsye edhe organet qojnë fletëparaqitje për mos respektim të ligjit, për atë arsye ka ardhur deri te çështja e dënimit, për çka mendoj se s`është në rregull. Prandaj duhet që të gjithë të interesohemi që të zyrtarizohet përdorimi i Flamurit Kombëtarë, pasi që neve jetojmë me shekuj në këto troje, ku shumicën përbërëse në Preshevë dhe Bujanoc e përbënë komuniteti shqiptarë”, theksoi avokati Memeti.

Çështja e lejimit të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare, është një ndër kërkesat fundamentale të korpusit të të drejtave elementare që tash e shumë dekada shqiptarët e Luginës së Preshevës ia kanë adresuar Beogradit zyrtarë. Por, ky i fundit vazhdon të jetë i shurdhër ndaj kërkesave të shqiptarëve, aq më keq vazhdon të përdor logjikën e dënimeve.