Lugina e Preshevës mori pjesë në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan ditën e diel në tërë territorin e Serbisë. Por, shqiptarët po duan përsëritjen e zgjedhjeve në këtë pjesë, derisa sipas njohësve të rrethanave politike gjasat për përsëritje të zgjedhjeve në Luginë janë minimale.
Sipas tyre, problemi i pasivizimit të adresave është shumë vjeçar dhe problem kryesor për mos përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë i shohin mos pajtimet politike, shkruan arbresh.info.
Politikologu, Behlul Beqaj, duke vlerësuar lart figurën e Shaip Kamberit, tha se interes i gjithë shqiptarëve të Luginës ka qenë bashkimi, dhe sot do të kishin dy apo tre përfaqësues të tyre.
“Mendoj se Serbia nuk e bënë korrigjimin për arsye se zoti Vuçiq është dëshmuar se është autokrat dhe bënë çmos që sa më pak shqiptar të ketë në Serbi. Politika e Vuçiqit është që Lugina të zbrazet sa më shumë dhe të arrihet qëllimi përfundimtar që ka të bëjë me krijimin potencialisht të shteteve të natyrës etnike, edhe pse kjo nuk mund të ndodhë sepse në Serbi përfshihen rreth 14 % të pakicave tjera”, vlerësoi Beqaj.
Sipas tij, para Aleksandar Vuçiqit është një periudhë shumë e errët dhe e rrezikshme.
“Unë mendoj se Putini do ta ketë përfundimin e kobshëm dhe përfundimi i kobshëm i Putinit në mënyrë indirekte do ta percjell edhe përfundimin e kobshëm të gjithë autokratëve që janë në regjion duke përfshirë edhe Aleksandër Vuçiqin. Kjo nuk do të ndodhe as brenda muajit, as brenda muajve, por kjo do të ndodhë pas perfundimit të kobshem të Putinit, kur unë mendoj se do të fillojë një periudhë e rishikimeve kualitative e të gjitha vendeve ku sundojnë aktualisht autokratët, si në Hungari, Rusi dhe vende tjera. Dhe, kjo është shanca që në periudhën pas disa vjeçare ta kem një raport normal kualitativ në kuptimin e bashkëpunimit regjional”, deklaroi Beqaj për arbresh.info.
Sipas raporteve të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi del se asnjëra nga listat pjesëmarrëse të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në këto zgjedhje nuk kanë arritur të marrë votat e nevojshme për të siguruar ndonjë ulëse në Kuvend.
Edhe për Gazmir Racin, njohës i rrethanave politike, gjasat e përsëritjes së zgjedhjeve janë minimale.
“Absolutisht nuk e mendoj që mund të ndodhë një gjë e tillë. Po të ishte çështja e pasivizimit, ajo çështje do të duhej t’i bënte më alarmant para zgjedhjeve, dhe jo pas. Është paksa personale çështja e mos arritjes së votave të duhura dhe fajtori të kërkohet tek pasivizimi i adresave, pasi që ky problem ka filluar rreth pesë vite. Prandaj unë fajin kryekëput ja lë mos arritjes së një konsensusi në mes të shqiptarëve për të pasur një listë të përbashkët siç e kemi pas herën e kaluar”, vlerësoi Raci, shkruan arbresh.info.
Sipas rezultateve të fundit, “Koalicioni i Shqiptarëve” i Shaip Kamberit ka marrë deri më tani besimin e 0.26 për qind të qytetarëve, gjegjësisht ka 9,654 vota, që do të thotë se nuk do të ketë asnjë deputet.
Gjithashtu edhe lista tjetër e shqiptarëve e kryesuar nga Shqiprim Arifi, “Alternativa Demokratike Shqiptare” ka marrë besimin e shumë pak votuesve. Ajo deri më tani ka 0.09 për qind apo 3, 277 vota, që do të thotë se do të mbetet jashtë Kuvendit.
Për Kamberin zgjedhjet e së dielës nuk ishin as të dreja dhe as demokratike, pasi sipas tij u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë për shkak të pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
“Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës”, deklaroi ai.
E për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve në Serbi kishte interesim dhe vëmendje mjaft të madhe si nga shqiptarët në rajon po ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Një reagim në lidhje me procesin e këtyre zgjedhjeve e ka bërë edhe eurodeputetja Viola von Cramon, përmes një shkrimi në Tëitter ku thotë se zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as fer.
“Zgjedhjet Serbe demonstruan zhvillime pozitive pasi një numër i konsiderueshëm i votuesve ishin të etur për të marrë pjesë. Serbia do të ketë sërish një Parlament pluralist dhe të larmishëm. Megjithatë, zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira, e as të drejta”, shkroi ajo.
Në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit në Serbi, doli fitues Aleksandar Vuçiq. Edhe në ato parlamentare ka fituar partia e Vuçiqit, Partia Përparimtare Serbe./Artan Maliqi/arbresh.info/
Si ta parandaloni shfaqjen e njollave të bardha në rroba pas...
Parashikimi i motit – Mjegull në fundjavë dhe ditëve të para...
Bologna në finalen e Superkupës së Italisë, fiton dramën nda...
Shkretëtira e Arabisë Saudite zbardhet nga dëbora
Dy automjete përplasen në aksin Lezhë-Shkodër, lëndohen drej...
Festat festohen edhe në kampin e KFOR-it, momenti i ngrohtë ...