Pasi herën e parë e ktheu rastin në rivendosje, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë, me të cilin është konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi.
Bashkë me të akuzuarin Latifi po akuzohet edhe ish-drejtorit i Administratës dhe Financave në KPM-së, Arben Bilalli, por që ai dhe mbrojtësi i tij, nuk kanë paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se gjykata e shkallës parë pas kthimit të rastit në rivendosje më 2 dhjetor 2021, ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Latifi.
“Duke iu referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit me datë 17.11.2021, Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 02.12.2021 ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit L.L si e pa bazuar”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Ajo ka thënë se Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2021 ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.
“Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2021 ka vëretuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka shtuar Gashi.
Në fund, ajo theksoi se shqyrtimi gjyqësor për këtë rast planifikohet të caktohet gjatë muajve mars-prill 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, kryetar i trupit gjykues i caktuar në këtë rast, është gjyqatri Alban Ajvazi.
Më 26 nëntor, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ishte konfirmuar aktakuza ndaj ish-kryeshefit dhe ish-drejtorit të KPM-së, të akuzuar për ryshfet si dhe iu ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak.
Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Tel Kos”.
Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Tel Kos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.
Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.
Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.
Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.
Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilën ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.
Për këto veprime, dy të akuzuarit po ngarkohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.
Mësohet se sa do të mungojë Lisandro Martinez pas lëndimit q...
Dorëzohet një person në polici në Gjakovë, me vete kishte gr...
Florent Hadërgjonaj në formacionin e javës në Turqi
I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet turku në Morin...
Vodhi para dhe stoli ari, arrestohet i dyshuari në Kaçanik
Katër vite nga nisja e luftës në Ukrainë, Zelensky: Do të bë...