Komisioni Ekzekutiv për propozimin dhe hartimin e parimeve themelore, si parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë.
Në mbledhje u miratua Grupi Punues i përbërë nga anëtarët: Arta Hoxha, eksperte e auditimit bankar, anëtare e Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, ekspert i çështjeve të ekonomisë së brendshme, Emanuel Bajra, ekspert i industrisë ndërkombëtare financiare, dhe Tea Blakaj Hoxha, këshilltare ligjore e Kryeministrit, thuhet në komunikatë.
Kryetar i Grupit Punues u zgjodh Besnik Pula, profesor në Universitetin Virginia Tech, në ShBA, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare, i cili bëri një prezantim të shkurtër përpara Komisionit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se në këtë mbledhje po nis një nga reformat më të mëdha ekonomike të vendit tonë që nga pavarësia. Themelimi i Fondit Sovran do të japë një shpresë të re për zhvillim ekonomik në Kosovë, pas një modeli ekonomik, i cili që nga paslufta nuk solli ndryshimet aq të pritura dhe shpresat për vendin që pat populli i Kosovës, tha ai.
“Sot jemi këtu për të treguar se ka alternativë ndaj rrugës së ndjekur deri më tani. Një ndër to është, ajo që ne besojmë, shteti zhvillimor. Shteti i cili në ekonomi nuk është as regjisor e as spektator por bashkë-skenarist dhe aktor. Në funksion të konkretizimit të shtetit zhvillimor e kemi menduar, premtuar dhe tani do ta realizojmë njërin ndër institucionet e tij – Fondin Sovran të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se ndërmarrjeve tona nuk u duhet vetëm ndërrimi i kahjes së përgjithshme nga minusi drejt zeros, gjë që duhet ta bëjnë bordet e reja profesionale. Atyre, siç tha ai, duhet edhe t’iu rritet vlera përmes menaxhimit më të mirë ditor, i cili i ndërron bilancet financiare vjetore nga deficiti në surplus.
Kështu ato, sipas kryeministrit, nuk do të shihen më si barrë për buxhetin e republikës por do të shndërrohen në krah te fortë të zhvillimit ekonomik në vend.
“Këtë qëllim parësor do ta ketë Fondi Sovran. Ai duhet të kujdeset për menaxhimin e performancës financiare të aseteve strategjike. Kjo nënkupton ngritje të performancës, rritje të vlerës, dhe rritje të kthimit në investime”, tha kryeministri. /arbresh.info/



Ndërron jetë babai i modeles dhe futbollistit të njohur
S’iu bindën, fyen dhe lënduan një polic – arrestohen dy pers...
Shfaqen maskat në Kraishtë, grabisin arkën me para nga një m...
Aksion policor në Leposaviq, konfiskohen fishekë, maska usht...
Arrestohet një person në Skenderaj, dyshohet për posedim të ...
Dogana sekuestron 237 mijë pako të paligjshme për ambalazhim...