Abdixhiku: Kurti të përcaktohet nëse do marrëveshje politike me LDK-në, mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin

15:12 | 25 Prill 2026
E.K

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në konferencë për media pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, tha se Vjosa Osmani mund të jetë emër i propozuar për kandidat për president.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti po kërkon 90 vota, duke nënkuptuar bashkëpunim jo vetëm me LDK-në, por edhe me PDK-në.

“E dyta, me sa kuptuam, Kurti po i kërkon 90 vota, pra jo vetëm LDK-në, por 90 vota si tip i parë, që i bie që ai kërkon bashkëpunim edhe me PDK-në. Vitin e kaluar kur kisha propozuar qeverinë e unitetit, ju kujtohet se si më thonin ‘se pa PDK-në s’po mundesh’. Duket se këtë herë ai s’po mundet pa PDK-në. Nëse ka dashur vetëm me LDK-në, ne kemi qenë në diskutime, kemi pasur diskutime të gjata për marrëveshje politike midis dy subjekteve tona. Në qoftë se do vetëm me PDK-në, le t’i lidhin ata, le t’i bëjnë ato 75 vota; në qoftë se mbetet te 15 votat e LDK-së, ulemi dhe flasim. Por, në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK mund të propozojë emra. Ne s’kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një. Mund të jetë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregojë ai 66 votat për këtë emër. Mund të jetë, por njëherë duhet të vendoset ajo marrëveshje politike mes nesh. Apo do 90 vota? 90 vota menjëherë nuk i ka. Meqë nuk i ka 90 vota menjëherë, atëherë kjo po më duket manovër politike, por le të merret kjo me PDK-në, le ta tregojnë, e më pas ne përgjigjemi bashkë me 15 votat tona. Propozimi im ka qenë gjithmonë marrëveshja politike, por marrëveshje politike ku ta kemi presidentin në vendosje. Pra jo tre emra, por e japim një”, tha Abdixhiku.