Kryeziu për vizitën e Kurtit në Greqi: Është atje nga 8 korriku

11:43 | 14 Korrik 2021
A Z

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në ‘facebook’, ka dhënë detaje për vizitën e kryeministrit Kurti dhe qëndrimin disa ditor në Greqi, pasi në media u raportua se Kurti po qëndron në një resor luksoz atje bashkë me familjen dhe nuk po kthehet në Kosovë për t’u marrë me situatën e rënduar në Deçan ku janë helmuar mbi 1 mijë qytetarë.

Kryeziu ka treguar se kryeministri është duke qëndruar në Greqi nga 8 korriku me ftesë të dy organizatorëve për dy konferenca ku Kurti ka qenë pjesë e panelit.

Postimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit.
Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI.
Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori.
Postimet nga pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në vitet e kaluara mund t’i shihni këtu:
https://www.facebook.com/albini2017/posts/927956037704281
https://www.facebook.com/albini2017/posts/641782839654937
https://www.facebook.com/albini2017/posts/402236570276233
Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota.
Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj.
Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje.

Të ngjashme