Kë e përkrahin Kosovën apo Shqipërinë? Ja çfarë thonë qytetarët

13:19 | 13 Nëntor 2015
M. A.

Kanë mbetur edhe një orë deri në fillimin e ndeshjes miqësore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndonëse entuziazmi i qytetarëve për këtë ndeshje është i madh ata gjinden në një situatë mjaft konfuze sa i përket se kujt duhet ti bëjnë tifo Kosovës apo Shqipërisë, transmeton arbresh.info.

Në një anketë të bërë me disa qytetarë në Prishtinë, pjesa më e madhe e të anketuarve thanë se është e vështirë të përcaktohet së cilën skuadër mbështesin, por që do i gëzohen golit të të dyja ekipeve.

Qytetari Besnik Veliu i pyetur se më cilën skuadër është sot?, ai tha se “Është e vështirë të përcaktohem. Sot do të jem për futbollin shqiptar. Për Kosovën dhe për Shqipërinë. Për një mesazh të mirë që do të dalë nga kjo lojë“, tha ai.

E Majlinda Vitia  tha se “Sot nuk ka rëndësi se me cilin ekip jemi apo golat e cilës skuadër do ti festojmë. Vetë fakti që luajnë dy shtete shqiptare vlen për tu festuar. Besoj është një festë e madhe dhe nuk ka rëndësi. Ajo çka duhet të presë secili qytetar sot është një lojë e mirë sepse festa është e sigurt”.

Ka edhe të tillë që këtë ndeshje e shohim me një sy politik duke u nisur nga marrëdhëniet që kanë këto dy shtet mes vete. Gentiana Hasani thotë se e përkrahë Shqipërinë, pavarësisht se ajo është nga Kosova.

“Ndeshja në mes të dy kombëtareve, Kosovës dhe Shqipërisë padyshim që është një ndeshje historike për të dy shtetet. por duke i parë marrëdhëniet në mes te dy shteteve dhe aspiratat shekullore mund të them se sot pavarësisht se kush do të fitoj, shqiptaret prapë do të jenë fituesit. Por pse vendosa te jem me Shqipërinë? Duke u nisur nga fakti se ne ekipin e Shqipërisë janë nëntë lojtarë kosovarë, mendoj që kjo nuk më privon që unë ma shumë ta dua Shqipërinë” tha ajo.

Derisa pritet të filloj ndeshja, nën ethe do të presim se kush do të jetë fitues Shqipëria apo Kosova./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale