“Çështja e detit me Greqinë”, Rama publikon hartat: Me ligj të Berishës e Nishanit në 2008-tën, Shqipëria humb 1290 km2 dhe kufirin e vet detar

11:15 | 15 Janar 2021
Arbresh.info

Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e së enjtes se “nuk kemi arritur në një marrëveshje me Greqinë për çështjen e detit”, duke shtuar se “kemi bërë një punë shumë të mirë, kemi ardhur shumë afër, por në pikën që nuk gjemë dot dakordësi për impaktin e ishujve, ndaj do të shkojmë në gjykatë ndërkombëtare”, shkruan ATSH.

I ftuar në një emision televiziv, Kryeministri Rama publikoi hartat e viteve 2001, 2008 dhe 2019, ku përcaktohet vija e drejtë bazë e bregdetit. Sipas saj çdo marrëveshje dhe çdo ndarje e ujërave territoriale dhe zonës ekonomike bëhet duke u nisur nga kjo vijë.

“Në këto harta vija e drejtë bazë sipas ligjit 2001 përcakton kufirin e ujërave të brendshëm. Pra ajo vija e kuqe, të gjitha ujërat brenda profilit të thepisur i fut brenda dhe për të ndarë kufirin ku është uji territorial dhe ku shtrihet zona ekonomike, fillohet nga vija bazë e kjo ishte e 2001”, tha Rama.

Ndërkohë ai solli në vëmendje edhe hartën e 2008. “Ja çfarë bën Sali Berisha me propozim të Nishanit. Në vitin 2008 dhe Berisha, dhe Nishani, shikoni se çfarë i bëjnë Shqipërisë. Me ligj ia heqin vijën bazë dhe e fusin në profilin e vetë tokës. Shqipëria humb 1290 km2 dhe kufirin e vet detar. Del si vend si pa det fare. Dhe mbi këtë bazë në 2008 bëhet marrëveshja e famshme, ku përllogaritja e ujërave për të ndarë kufirin ujërat territoriale dhe zonën ekonomike niset jo nga vija bazë, por brenda atyre dhëmbëve, pra humbet territor”, tha kryeministri Rama.

Ndërkohë ai theksoi se në vitin 2019, PS me propozim të Gramoz Ruçit në parlament rifuti vijën bazë dhe e riktheu në gjendjen e mëparshme, por dëmi ishte bërë.

Rama solli si shembuj ilustrues hartën e Kroacisë për të sqaruar se si funksionon ndarja (Kroaci-Itali) me 12 milje dhe se si ndahet deti territorial dhe zona ekonomike.

Ndërkohë Rama solli një tjetër hartë duke ilustruar faktin se përse Greqia nuk ka mundësi fizike të shtrihet 12 milje përtej Korfuzit.

“Është një turp i madh që iu bëhet në sy shqiptarëve nga manipulatorë agresivë që nuk pyesin për Shqipërinë dhe bëjnë rolin e patriotit, nga ata të Vetëvendosjes në Prishtinë dhe ata këtu. Si u shit deti këtu? Nëse Greqia do të ishte shtrirë 12 milje nuk ekzistojnë mundësitë fizike për 12 milje nga Korfuzi në Sarandë dhe gjithë gjirin poshtë. Meqë këta thonë e mori Greqia, atëherë i bie që portin do ta ngremë në Memaliaj, anijet i kalojmë në lumin e Vlorës dhe marinarët i vendosim matanë Delvinës?! Ose ne marrim gjithë Korfuzin lindor dhe ia japim Erdoganit?! Nuk ka asnjë lidhje, dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se nuk ekzistojnë 12 milje, sepse në fakt duhet të jenë 24 milje që 12 t’i marrim ne dhe 12 Greqia”, tha Rama./Arbesh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale