Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u është kundërpërgjigjur deklaratave të mbrëmshme të Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani. Mustafa i ka rikujtuar Osmanit se i kanë humbur zgjedhjet e 6 tetorit dhe se pozitat aktuale që i mban sot i ka falë politikës dhe lidershipit të LDK’së, meqë kishte kushtëzuar Kurtin që t’a shkarkonte Konjfucën dhe ta propozonin Osmanin për kryekuvendare.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e pozitës së Presidentit, Vjosa Osmani, këtë të premte e zgjodhi Televizionin Publik të Kosovës për t’i qeruar hesapet me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përmes valëve të RTK’së, Osmani mbrëmë ia dha opinionit kumtin se rrugëtimin e saj politik do ta vazhdojë e vetme dhe se nuk do të bashkëpunojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, meqë, sipas saj, kjo parti i ka mbajtur në pushtet kapësit e shtetit. Përveç kësaj, kandidatja e LDK’së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit ka thënë se tashmë partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova i ka mbetur vetëm logoja dhe se votuesit i përfaqëson vetëm ajo.
Lidhur me këto akuza të Osmanit, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Isa Mustafa ia ka rikujtuar Osmanit faktin se Lidhja Demokratike e Kosovës i ka humbur zgjedhjet e 6 tetorit dhe thotë se bazuar në atë rezultat zgjedhor, qytetarët e kanë votuar Osmanin vetëm për deputete.
“Lista zgjedhore, në të gjitha zgjedhjet ka qenë e LDK-së, me logo të LDK-së, e përkrahur nga të gjitha strukturat e partisë dhe e votuar nga anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së. Të gjitha pozitat që i mbajnë njerëzit e LDK-së janë rezultat i politikave të LDK-së. Zgjedhjet e vitit të kaluar nuk janë fituar. I kemi humbur. Sipas këtyre rezultateve, qytetarët e kanë votuar Vjosën vetëm për deputete”, ka thënë Mustafa.
Ish-kryeministri dhe i pari i LDK’së thotë se të dyja pozitat që sot i mban Vjosa Osmani, pra atë të kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentit, janë si rezultat i politikave të partisë dhe vetë Mustafës si kryetar, e jo si rezultat i votave.
Mustafa në këtë intervistë për Gazetën Express thotë se në negociatat më Lëvizjen Vetëvendosje për koalicion, e kishte kushtëzuar Albin Kurtin që ta shkarkonte Glauk Konjufcën nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe në atë pozitë të vendosej Vjosa Osmani.
“Ndërkaq në proces të negociatave me VV për bashkëqeverisje, si Kryetar i LDK-së kam kushtëzuar që VV të propozojë Vjosa Osmanin për Kryetare të Kuvendit, duke e shkarkuar Glauk Konjufcën. Pra pozitat që i mban sot Vjosa ia ka siguruar lidershipi i LDK-së, unē si Kryetar e kam nënshkruar marrëvedhjen. Mbi këtë bazë sot është edhe u.d. e Presidentit. Nuk e ka bërë vota, por marrëveshja politike që e kam drejtuar unë si Kryetar i LDK-së. Me vota do të ishte Glauk Konjufca Kryetar i Kuvendit dhe u.d. i Presidentit”, ka shtuar tutje i pari i LDK’së.
Mustafa e lë në ndërgjegjen e Osmanit faktin që ajo vazhdon të qëndrojë kryetare e Kuvendit dhe tashmë edhe u.d e presidentit edhe pas prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndërkohë e ka pyetur Osmanin se në çfarë cilësie i mban këto dy pozita, si anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës apo si pjesëtare e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Çështje tjetër është se a është morale dhe etike që pas prishjes së koalicionit dhe të marrëveshjes, Vjosa të vazhdojë ta mbajë atë pozitë që ka derivuar nga marrëveshja e prishur. Shihet qartë se ajo nuk ka reflektuar parime. Po e përgojon lidershipin e LDK-së se e vetmja dëshirë e tyre është të mbesin në pushtet , ndërkaq duhet të merret me pushtetin e saj dhe me faktin se kah i buron ky pushtet. Duhet të deklarohet se pozitën si Kryetare e Kuvendit rrjedhimisht edhe si ud e Presidentit a e mban si anëtare e LDK-së apo e VV-së. Mbi të cilat parime qëndron në ato pozita?!?”, ka thënë Isa Mustafa për Express.
Isa Mustafa thotë se si Lidhje Demkratike nuk e llogarit si të veten meqë është prishur koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në fund, i pari i LDK’së tha se nga zgjedhjet e fundit, Osmanit i ka mbetur vetëm vota e “duetit Haxhi Avdyli & Haki Abazi”, derisa shtoi se “të tjerët i ka zhgënjyer”./GazetaExpress/
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...