Demolli priti ambasadoren e Zvicrës, Marty Lang

17:25 | 29 Tetor 2015
M. A.

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli ka pritur sot ambasadoren e Konfederatës së Zvicrës në Republikën e Kosovës, Krystyna Marty Lang, të cilën e ka falënderuar për ndihmën që Qeveria e Zvicrës po jep për Kosovën dhe FSK-në, në veçanti në angazhimin e ekspertëve ushtarakë të deminimit të cilët janë të angazhuar në pastrim të fushave të minuara në Kosovë.

Sipas komunikatës nga takimi, Demolli e ka njoftuar ambasadoren edhe për zhvillimet e përgjithshme në MFSK dhe FSK, me theks të veçantë me procesin e transformimit të FSK-së, në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Ministri i Ministrisë për FSK i ka shprehur ambasadores Marty Lang interesimin për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në të drejtën humanitare ndërkombëtare, si dhe sfera tjera që kanë të bëjnë me çështjet gjinore, gjithashtu në kuadër të këtyre edhe trajnimin dhe shkollimin e kuadrove të FSK-së në shtetin e Zvicrës.

Nga ana e saj, ambasadorja Marty Lang është shprehur se bashkëpunimi do vazhdojë edhe në të ardhmen në mes dy shteteve mike dhe në mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Zvicrës.

Shpërndaje në rrjete sociale