Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për grabitje në bashkëkryerje, Genti Vatnikaj, Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, i akuzuari Genti Vatnikaj është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim dhe 800 euro gjobë.
Ndërsa, të akuzuarit Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj janë dënuar me nga tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe me nga 600 euro gjobë.
Sipas gjykatësit Zika të akuzuarit janë të obliguar që t’ia kompensojnë të dëmtuarit dëmin e shkaktuar në shumën prej 2490 euro.
Të akuzuarve u janë konfiskuar edhe veturat e markave “Opel Corsa” dhe “Renault Laguna”.
Gjykatësi Zika i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.
Pas shpalljes së aktgjykimit derisa trupit gjykues ishte duke dal nga salla, i akuzuari Vatnikaj iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shaqir Zika me fjalët “Ishalla t’run Zoti”.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 20 gusht 2019, të akuzuarit e kishin mohuar fajësinë lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohen.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e përpiluar më 19 korrik 2019, Genti Vatnikaj, Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj, po akuzohen për veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje, nga neni 317 parag.3 lidhur me parag.1-31 të KPRK-së.
Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit më 14 maj 2019, rreth orës 18:30 në Gjakovë, me përdorim të forcës me qëllim për të sulmuar jetën dhe trupin në mënyrë të kundërligjshme ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Rron Krasniqi, në atë mënyrë që pasi më parë janë marrë vesh mes vete dhe i kanë ndarë rolet, të pandehurit Genti Vatnikaj dhe Jonson Pnishi me automjetin “Opel Corsa” shkojnë te stacioni i autobusëve ku e marrin të dëmtuarin Krasniqi, kinse për ta furnizuar me substancë narkotike, ku më pas nisen në drejtim të Çabratit, ku i prisnin të pandehurit Simon Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj, me automjetin “Renault Laguna”.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Vatnikaj së bashku me të dëmtuarin pasi hyjnë në automjet ulen në pjesën e pasme, duke e lëvizur në drejtim të kishës, rrugë me lëvizje të pakta të qytetarëve, i pandehuri Vatnikaj merr revolen me dorën e majtë dhe ia drejton të dëmtuarit në bark, duke ia kërkuar të hollat, më pas i pandehuri Nikollbibaj, i ulur në ulësen e përparme të automjetit nxjerr revolen, të cilën ia drejton të dëmtuarit, duke i kërkuar që ti qes të gjitha paratë që i ka, ku më pas i dëmtuari nga frika nxjerr shumën prej 2490 euro, të cilat i lë në ulësen e automjetit, dhe më pas i pandehuri Vatnikaj nën kërcënimin e armës e kontrollon në xhepa ku gjen edhe një sasi të të hollave dhe i merr, dhe më pas e ndalin automjetin në skaj të rrugës dhe nën kërcënimin e armës e zbresin të dëmtuarin nga automjeti. /BetimipërDrejtësi/
Serwer: Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës një ga...
Meksika në terror, mbi 70 të vdekur pas eliminimit të “El Me...
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të ...
Katër vite luftë, Von der Leyen: Paqe sipas kushteve të Ukra...
Oda Ekonomike Britanike kërkon funksionalizimin e sektorit ...
Sot katër vjet luftë në Ukrainë/ Bilanci i jetëve njerëzore,...