Blerim Kuçi shkarkon zyrtaren e emëruar nga qeveria Kurti

15:42 | 26 Qershor 2020
M. A.

Me të marrë pozitën e ministrit, Blerim Kuqi nga AAK ka shkarkuar udhëheqësen e Njësisë për Politika dhe Monitorim  të Ndërmarrjeve Publike, Fikrije Buzuku- Fejza.

Ajo është shkarkuar nga pozita nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi me arsyetimin se “më nuk përfaqëson ‘interesat dhe politikat’ e ministrit.

Gjithë historia nisi kur në disa prej Ndërmarrjeve Publike nisen të hapën konkurse publike për plotësimin e pozitave udhëheqëse. Derisa ministria kërkoi që këto konkurse të stopohen për një kohë, Udhëheqësja e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Fikrije Buzuku- Fejza, e cilësoi atë si ndërhyrje në punët e Bordeve të Përkohshme nëpër këto Ndërmarrje Publike.

Në komunikimet e brendshme, Shefi i kabineti të ministrit Kuçi, Bedri Berisha, ia kishte treguar edhe arsyen e shkarkimit.

“Konsiderojmë që ju nuk përfaqësoni interesat dhe politikat e Ministrit dhe aksionarit në lidhje me ngritjen e performancës të Ndërmarrjeve Publike, përgjegjësi të dala nga ligjet në fuqi”, thuhet në mes tjerash në një mesazh elektronik që ia kishte përcjell Berisha- Buzuku- Fejzës.

Buzuku-Fejza ishte emëruar më 22 prill të këtij viti nga ish-ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari.

Ndërsa, në arsyet e shkarkimit thuhet se “Fikrie Buzuku- Fejza shkarkohet nga pozita për shkak të refuzimit të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me nenin 37 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, duke i pamundësuar aksionarit (qeverisë) në ushtrimin e përgjegjësive ligjore në raport me Ndërmarrjet Publike”.

Gjithashtu, thuhet se, ajo me veprimet e veta ka rënë ndesh me politikat e ministrit.

Por, me këto konstatime nuk është pajtuar vetë Fikrie Buzuku- Fejza. Ajo ia ka dërguar një letër ministrit Kuçi pas shkarkimit.

“Me këtë akt të kequdhëzuar e të paligjshëm, kabineti juaj po hakmerret ndaj meje pse nuk kam pranuar t’u ndërhyj drejtorëve të ndërmarrjeve në punët që ata duhet t’i kryejnë të pavarur”, thuhet në mes tjerash në letrën e saj.

Ajo ka thënë se është shkarkuar nga pozita meqë nuk ka pranuar “të tejkaloj kompetencat dhe të cenoj interesin publik”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale