Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Greg Delawie, tha se Kuvendi nuk është vend për armë, për pengesa, ose për dhunë. Nëse vazhdon ky konfrontim, e ardhmja e Kosovës në Evropë do të vonohet, si dëmi më i vogël në skenarin më të mirë, transmeton TV Arta.
“Korrupsioni vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie para pjesëtarëve të komunitetit të biznesit në një ngjarje të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë të cilës ai është emëruar zyrtarisht Anëtar Nderi i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane.
Ai ftoi komunitetin e biznesit të ngre zërin dhe të vazhdojë të luftojë për të ardhmen ekonomike të shtetit, meqë nuk ka më kohë për t’u humbur.
Ambasadori Delawie falënderoi Odën Ekonomike Amerikane në rolin e saj udhëheqës në ngritjen e zërit për çështjet që preokupojnë komunitetin e biznesit. Delawie shtoi se zgjidhja e krizës politike dhe funksionalizimi i Kuvendit janë të nevojshme për të përmirësuar ekonominë.
“Kuvendi nuk është vend për armë, për pengesa, ose për dhunë. Nëse vazhdon ky konfrontim, e ardhmja e Kosovës në Evropë do të vonohet, si dëmi më i vogël në skenarin më të mirë. I dëshiroj presidentes Jahjaga gjithë të mirat në përpjekjet e saj për të promovuar dialogun politik,” theksoi ambasadori amerikan.
Ambasadori Delawie lavdëroi progresin që ka bërë Kosova brenda një periudhe të shkurtër kohore që nga Pavarësia, duke shtuar se Kosova ende vuan pasojat për të tërhequr investime të huaja dhe për të promovuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, derisa korrupsioni vazhdon të pengojë zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Kriza e emigrimit gjatë dimrit që lamë ishte një sinjal i zëshëm dhe i qartë për mua se rinia e Kosovës, e që është resursi më vlefshëm i saj, ka filluar të humbasë shpresën për të ardhmen në Kosovë,” tha ambasadori, duke shtuar se ai ka tri prioritete kryesore që duhen adresuar, e që përfshijnë sundimin e ligjit, sigurinë rajonale dhe zhvillimin ekonomik.
Ambasadori Delawie gjithashtu theksoi se ai beson se arritja e progresit të qëndrueshëm në të gjitha këto çështje është esenciale për Kosovën për ta arritur qëllimin e saj dhe për t’u bërë pjesë e të gjitha institucioneve kyçe evropiane. Ambasadori kërkoi nga pjesëtarët e komunitetit të biznesit që të mos lejojnë shtrirjen e korrupsionit në bizneset e tyre, meqë kjo do t’i kushtojë Kosovës me vendet e nevojshme të punës të cilat do të ndihmonin rininë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.
Ambasadori theksoi se SHBA-të kanë investuar 15 milionë dollarë amerikanë për fuqizimin e gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, duke trajnuar policinë, prokurorët dhe gjyqtarët. Ai inkurajoi bizneset të ndihmojnë në këto përpjekje duke raportuar çfarëdo dëshmie të korrupsionit.
“Komuniteti i biznesit dhe Qeveria e Kosovës duhet të punojnë ngushtë për zbatimin e politikave të cilat nxisin zhvillimin ekonomik dhe adresojnë konkurrueshmërinë e Kosovës në tregun global,” tha Ambasadori Delawie.
Ai tha se ekonomia e Kosovës nuk do të mund të rritet derisa të mos ketë mjedis të përmirësuar për investime, korrupsion të reduktuar, sistem efikas të gjyqësorit për zgjidhjen e kontesteve, si dhe stabilitet politik. Ai komentoi se raportet mediale anembanë botës rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë nuk paraqesin pasqyrë të një vendi politikisht stabil.
Delawie shtoi se zgjidhja e qorrsokaku politik dhe një Kuvend funksional janë të nevojshëm për të përmirësuar ekonominë, të sjellin Kosovën më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në UNESCO, si dhe të ndihmojnë përpjekjet e Kosovës për liberalizim të vizave.
Deklarata e Walker dhënë 27 vite më parë, një ditë pas masak...
Haradinaj: Masakra e Reçakut dëshmi e krimeve të shtetit ser...
Komandanti i FSK-së gjatë qëndrimit zyrtar në ShBA, realizoi...
Abdixhiku bën homazhe në Reçak: Reçaku s’harrohet, drejtësia...
Arbeloa: Ne do të garojmë ende për dy trofe mjaft të rëndësi...
Rinumërohen 120 nga 914 vendvotime