​Policët i kërkojnë prokurores speciale ta zbardh rastin e “Kumanovës”

18:19 | 26 Shtator 2015
M. A.

Një grup i pjesëtarëve të njësive speciale të policisë, pjesëmarrës në aksion në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, i kanë nisur një letër publike prokurores speciale Katica Janeva, të cilës i kërkojnë që si lëndë të parë ta shqyrtojë rastin ‘Lagja e Trimave’.

Të bindur se bëhet fjalë për skenar, policët i kërkojnë Janevës që të zbardhë të vërtetën për atë se kush dhe si i dërgoi drejt vdekjes 8 kolegët e tyre.

“Prokurore, jemi dëshmitarë të një realiteti të dhimbshëm dhe paskrupullt, ku ky pushtet i pangopur, dyfytyrësh, i rrejshëm dhe jo popullor na ka krijuar këtë të tanishme të dhimbshme. Pushtet i cili i lejoi vetes luksin që të na sakrifikoj edhe ne, policët, bijtë maqedonas. Në emër të bashkëpunimit të mëtutjeshëm si dorë e shtrirë ndaj jush , me dinjitet dhe guxim ju lusim, rastin ‘Lagja e Trimave’ ta hapni si rast i parë, e duam dhe e meritojmë të vërtetën. 8 vëllezërit tanë bashkëluftëtar, ende nuk po prehen në paqe. Na jepni urdhër dhe do tua sjellim edhe djallin nga ferri me pranga në duar dhe do ta përkulim para Jush!”, thuhet në letrën e policëve.

Nga ana tjetër sipas një shkrimi të publikuar dje në javoren Fokus, liderët e grupit të arrestuar në aksionin e Kumanovës po përgatiten që ta tregojnë historinë edhe për ngjarjet që i kanë paraprirë gjakderdhjes.

“Nga ana tjetër, mos prononcimi i tyre ka ardhur edhe nga përpjekja që ata të përgatisin versionin e tyre për ngjarjen, me qëllim që në Gjykatë të bëjnë rikonstruimin e ditëve para aksionit, gjatë aksionit, por edhe të përmendin personat përgjegjës që i kanë mashtruar të marrin pjesë në këtë skenar nëse një i tillë ekziston”, shkruan FOKUS.

Duke iu referuar anëtarëve të familjeve të të dyshuarve për ngjarjet e Kumanovës ‘Fokus’ shkruan se ata do të synojnë të tregojnë se i gjithë ky rast është konstruksion, por edhe se kanë kontaktuar me nëpunës të DSK-së dhe kreun politik në Maqedoni./Alsat-M

Shpërndaje në rrjete sociale