Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq me muaj të tërë është ankuar te Bashkimi Evropian, se Kosova ka bërë padrejtësi ndaj Serbisë me taksën 100 për qind. Për më tepër, kërcënon se nëse taksa 100% nuk hiqet deri më 6 maj, do të marrin masa kundër Kosovës. Por, njohësit e rrethanave politike në vend, vlerësojnë se Kosova nuk duhet të ndikohet nga Serbia.
Analisti politik Imer Mushkolaj, thotë se çfarëdo masash të marrë Serbia, Kosova nuk duhet të ndikohet e ta heq taksën, sepse nuk ka arsye që taksa të hiqet.
“Nuk duhet të harrojmë që Serbia nuk e ka ndal fushatën e vet agresive edhe me taksën. Kështu që taksa nuk është që ka ndikuar fare te Serbia që ta ndal fushatën kundër shtetësisë së Kosovës. Por, natyrisht që Kosova nuk duhet të bie pre e këtyre ultimatumeve të Serbisë. Është çështje e Serbisë se çfarë masash mund të marrë, por kjo assesi nuk duhet të ndikojë te Kosova, që Kosova ta heq taksën sepse nuk ka arsye që taksa të hiqet. Prej asaj që kemi parë deri më tani unë nuk besoj ende që janë përmbushur arsyet që taksa të hiqet”, ka thënë Mushkolaj.
Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, thotë se sigurisht i kanë menduar masat që mund ta dëmtojnë Kosovën, dhe sipas tij mund të bëhet fjalë për kërcënim retorik.
“Po sigurisht se i kanë menduar masat që mund të dëmtojnë Kosovën ose të kthejnë mbrapsht disa vendime nga marrëveshjet e Brukselit. Por, meqë masat janë paralajmëruar pas 6 majit, mendoj se behet fjalë për kërcenim retorik edhe si presion para samitit te Berlinit në fund të këtij muaji, kur mund të kemi propozim të ri për marrëveshje kompromise të normalizimit. Nuk dimë ende çka përmban kjo marrëveshje, po duhet të jetë alternativë për korrigjim të kufijve më afër qëndrimit të Gjermanisë, ose ndoshta ndonjë kombinim mes dy projekteve ku korrigjimi do të ishte simbolik por do te kompensohej me fuqizimin relativ, jo si autonomi formale, të asociacionit të komunave serbe… Ndoshta të mbikëqyrur nga një mision ndërkombëtare që do të kujdesej mos të kemi një strukturë që i ngjan Republika Srpska në unionin e Bosnje Hercegovinës”, tha Maliqi për arbresh.info.
Analisti politik, Ramush Tahiri, ka thënë se çdo shtet ka të drejt të marrë masa kundër një shteti tjetër. Sipas tij në këtë kërcenim të Vuçiq nuk ka panik për Kosovën.
“Ashtu si edhe Kosova edhe çdo shtet tjetër ka të drejt të marr njëanshëm apo si kundërpërgjigje masa kundër një shteti tjetër, pra ekonomike politike shtetërore apo masa të tjera. Këto duhet të jenë në harmoni me konventat dhe standardet ndërkombëtare dhe me ato rajonale dhe marrëveshjet dypalëshe. Kuptohet në këtë kërcenim të Vuçiqit nuk ka panik për Kosovën e cila në çdo variant do të trajtohet si subjekt dhe entitet i barabartë ndërsa pasojat do të jenë varësisht prej masave që do t’i aplikojë Serbia ose për tranzit ose për vend të origjinës, ose për destinim të mallrave me kompani nga Kosova”, thotë ai.
Njohësi i rrethanave politike në vend, Mazllum Baraliu, edhe Serbia pritet që ta zbatojë reciprocitetin në çështjen e tregtisë.
“Në raste të tilla qoftë ekonomike apo politike apo të përbashkëta, përdoret reciprociteti në qoftë se Kosova ka aplikuar tarifa ndaj mallrave të Serbisë 100%, edhe Serbia pritet që në radhë të parë ta zbatoj reciprocitetin në çështjen e tregtisë, por varet se çka ata e konsiderojnë si me efikase për ta bllokuar dhe penguar shtetin e Kosovës. Por mund të marrin edhe masa politike mund ta ndaloj qarkullimin e vlerave kulturore”, thotë Baraliu.
Thirrje për heqje të taksës 100 për qind ndaj Serbisë i kanë bërë Qeverisë së Kosovës shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se heqja e taksës do të ndodhë vetëm pas njohjes së Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar./Ardita Zeka/arbresh.info/
Rusia vijon përparimin, trupat ukrainase tërhiqen nga qyteti...
Nëse e shihni këtë person, lajmërojeni policinë
Ramush Haradinaj premton ujë të pijshëm dhe energji lokale p...
‘Bomberi’ dardan, Fisnik Asllani futbollisti më ...
Gjiganti anglez tërhiqet nga gara për Semenyon, vazhdon R...
Rrahmani shkëlqen në stinorin vjeshtor tek Sparta, top golas...