Fillojnë hetimet për punësimet familjare

08:55 | 22 Mars 2019
A Z

Punësimet familjare në ndërmarrjet publike në Kosovë, konktretisht në Telekom, të cilat u alarmuan nga portali arbresh.info fiks para një muaji, tashmë kanë filluar të hetohen nga Policia e Kosovës.

Këtë e kanë bërë të ditur për arbresh.info, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

LEXO Edhe: Pushteti ‘mbush’ Telekomin me reja, motra, fëmijë, vëllezër e militantë partiak

Kelani ka shtuar se në momente që Policia e Kosovës vëren se ka shkelje atëherë ata reagojnë.

“Aty ku vërehet se ka shkelje në institucione tjera Policia e Kosovës reagon, por për deklarata politike siç po thonë tash na nuk merremi me ato. E sa i përket PTK-së ne e kemi konfirmuar që jemi duke e hetuar si rast”, tha Kelani.

Por, ndryshe nga Policia, rastet e tilla as që kanë filluar të verifikohen nga Prokuroria e Shtetit. Ata arsyetohen se nuk kanë prova për këtë çështje.

Ibrahim Berisha, nga Prokuroria e Shtetit, ka thënë për arbresh.info, se deri më tash nuk është iniciuar as një aktakuzë dhe të gjitha kanë mbetur vetëm fjalë të politikanëve.

“Ato njëherë mbeten vetëm fjalë të liderëve, nuk është iniciuar asnjë aktakuzë deri më tani, ata i kanë punësuar familjarët e tyre, por, ne njëherë nuk kemi prova. Nëse vërtetojmë që dikush e ka shkel ligjin atëherë do të fillojmë të merremi me këto raste”, tha Berisha.

Ndërsa, Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se pasi sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur as puna nuk mund të kryhet ashtu siç duhet.

Sipas tij përvojat nga e kaluara me drejtësinë në Kosovë, të bëjnë të besosh çdo herë e më pak se mund të hetohet një çështje e tillë.

“Fillimisht, punësimet partiake dhe me nepotizëm nuk janë një dukuri e re në Kosovë. Këto kanë qenë prezent vazhdimisht deri sot. Heshtja e sistemit të drejtësisë përballë këtyre situatave, e ka bërë pothuajse normale një fenomen të tillë. Prokuroria në këto raste edhe në të kaluarën por edhe sot, do të duhej që ta kryente punën me profesionalizëm dhe pavarësi të plotë, në mënyrë që përmes rrugëve ligjore, t’i jepej përgjigje kësaj dukurie. Por, duke parë se si sistemi i drejtësisë ende është duke funksionuar, është vështirë të besojmë se tani do të veprohet ndryshe prej herave të kaluara”, vlerëson Shala.

Më 22 shkurt të muajit të kaluar arbresh.info kishte raportuar se Telekomi i Kosovës viteve të fundit është bërë “çerdhe” e qindra personave. Të punësuarit janë kryesisht familjarë të personave në pushtet ose militantë partiak. E vetëm vitin që lamë pas, arbresh.info ka siguruar listën e të punësuarve të mbi 200 personave që kanë lidhje të drejtpërdrejta me politikën./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale