A e dini se edhe Messi, si Kepa e kishte refuzuar zëvendësimin?

14:14 | 25 Shkurt 2019
A Z

Refuzimi i Kepa Arrizabalagas për t’u zëvendësuar gjatë ndeshjes finale të Chelseat në Carabao Cup kundër Manchester Cityt i dominoi ballinat të dielën, por kjo nuk është hera e parë që një futbollist e refuzon zëvendësimin. Në fakt, këtë e ka bërë vite më parë edhe Lionel Messi.

Sarri tentoi ta zëvendësojë Kepan me portierin rezervë Willy Caballero para se ndeshja të shkonte në gjuajtjen e penalltive, sepse përfaqësuesi spanjoll kishte probleme me ngërç në momentet e fundit të humbjes së Chelseat në finale.

Megjithatë Kepa refuzoi ta lërë fushën – duke shkaktuar vonesë të gjatë të ndeshjes dhe si pasojë e tërboi trajnerin Sarri, i cili u largua me vrap drejt tunelit por u rikthye menjëherë në stol.

Kepa e vazhdoi lojën, por qe në gjendje ta mbrojë vetëm një penallti gjatë ekzekutimit të tyre, dhe City fitoi 4:3 duke e mbrojtur trofeun e Kupës së Ligës.

Të dy, edhe Kepa edhe Sarri tentuan ta zbusin incidentin duke thënë se kishte pasur keqkuptim dhe se gjithçka është në rregull.

Megjithatë, kjo nuk ështe hera e parë që një lojtar e refuzon zëvendësimin. Në tetor të vitit 2014, Lionel Messi – futbollisti që nga shumë vlerësohet si më i miri i të gjitha kohëve – nuk pranoi të largohej nga loja derisa Barcelona po fitonte 3:0 kundër Eibarit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale