Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratave të presidentit, Hashim Thaçi i cili tha se është frymëzuar nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova në lidhje me idenë e korrigjimit të kufijve.
Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se, projekti i Thaçit për ndarjen e Kosovës po shkon drejt dështimit.
Deputeti i LDK-së thotë se idetë e ish-presidentit Rugova, më së paku kanë të bëjnë me Hashim Thaçin.
“E vërteta është se po të kishim sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë. Ato asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin kaq shumë dëm Kosovës. Idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata. Ato ende inspirojnë gjenerata të tëra që këtë shtet e duan njëmend. Ato më së paku kanë ndërlidhje me Hashimin”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i plotë:
Hashim Thaçi ka kuptuar se projekti i tij – dhe Aleksandrit në Serbi – për ndarjen e Kosovës po humbet. Refuzimi i madh politik e publik në vend e bën ndarjen të pajetë. Të përjetshëm e mbanë, gjithsesi, kujtesën kolektive për ata që donin të falnin territor.
Meqë projekti po humbet, ai tash provon të njëjtin dikujt t’ia mveshë. Dhe paska gjetur si shënjestër Presidentin Rugova; njeriun që udhëhoqi e realizoi projektin më të madh shqiptar – pavarësinë e Kosovës, shtet të pavarur e sovran. Njeriun që çdo të premte rresht, s’rreshti së foluri për këtë territor, për këtë sovranitet, për këtë shtet.
Meqë jemi në kohë të letrave e jo të cungut, gjarpërimet politike duken komike. Për të e secilin me interes, në vitin 1994 kur u pyet nga Marie-Françoise Allain dhe Xavier Galmiche për idenë e ndarjes së vendit të vet, Ibrahim Rugova kishte thënë:
– “Projekti i ndarjes së Kosovës, të cilin serbët e nxjerrin në tryezë herë pas here, ka vetëm një qëllim: ta cënojë integritetin territorial të Kosovës e më pas ta thejë identitetin e saj. Ky projekt për herë të parë është nxjerrë zyrtarisht nga Dobrica Qosiq dhe prezantuar zyrtarisht (në emër të Serbisë) në Gjenevë nga këshilltari i tij Stojanoviq”.
E vërteta është se po të kishim sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë. Ato asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin kaq shumë dëm Kosovës.
Idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata. Ato ende inspirojnë gjenerata të tëra që këtë shtet e duan njëmend. Ato më së paku kanë ndërlidhje me Hashimin.
Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, autori mbërrin në spi...
Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitje në Gjakovë...
49 aksidente trafiku e mbi 2200 gjoba të shqiptuara brenda 2...
Hiqet tabela me emrin e Gjingjiqit në Mitrovicën e Veriut, m...
Vrasja e policit, Begaj: Populli është në krah të policisë k...
Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit ...