Rashiq: Qeveria rriti taksën për produktet serbe pa plan ekonomik

10:38 | 16 Dhjetor 2018
A Z

Që nga viti 2014, serbët e Kosovës kanë mbetur jashtë integrimit në institucionet e Kosovës. Kështu ka deklaruar Kryetari i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, Nenad Rashiq.

Në një intervistë dhënë arbresh.info, Rashiq, ka thënë se pas hyrjes në Parlament të Listës Serbe, integrimi i serbëve jo vetëm që nuk ka vazhduar, por ka ngecur aty ky ka filluar në vitit 2007.

“Prej 2007 deri në vitin 2014 kemi punuar shumë që t’ju sigurojmë kushte serbëve të Kosovës. Fatkeqësisht prej hyrjes së Listës Serbe, ky integrim jo që nuk është ma afër serbëve, por është shumë larg, për këtë nuk është fajtor vetëm Lista Serbe por dhe institucionet e Kosovës, të cilët nuk kanë ofruar integrim për serbët dhe kushte për jetesë. Prandaj, shumica prej tyre burim financiar kanë Serbinë. E kemi pasur një ndërprerje të integrimit të serbëve, që nga ai vit dhe është kjo gjendje që është sot. Integrimi i suksesshëm duhet të bëhet në dy aspekte si ekonomik dhe politik. Serbët e Kosovës duhet ta shohin vetën brenda institucioneve të Kosovës,” deklaron Rashiq.

Tutje ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës ka bërë një hap të ngutshëm kur ka marrë vendim për ngritjen e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe.
Rashiq, ka theksuar se më këtë Kosova po i kthen proceset mbrapa në drejtim të bisedimeve me Serbin.

“Shkurt vlerësoj se ky vendim ka qenë i ngutshëm dhe ma shumë emocional se sa racional. Nuk shoh asnjë element që shkon në dobi të Kosovës më këtë taks. Mund të ketë anë pozitive në aspektin vendor, por ka një suficit prej 55 milionëve. Janë investuar në mallra prej Serbisë dhe 33 milionë po presin në doganë. Këtu ka një sakrificë të bizneseve Kosovare. Qeveria nuk ka pasur plan ekonomik kur e ka dhanë këtë vendim. Së pari është dashur të tregohen problemet dhe kanë mundur të përmendin marrëveshjen e 2013 për mos pengim në arenën ndërkombëtare. Në vend që të përdorin mekanizmat që i kanë, këta po shkojnë mbrapa duke marrë vendime të ngutshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës,” shprehet Rashiq.

Madje sipas Rashiqit, ky vendim i ngutshëm i Qeveris së Kosovës mund të pengojë edhe zhvillimet në rajon. Ai shton se vendimi për taksën është në kundërshtim më Bashkimin Evropian.

“Nëse flasim për negociatat e Brukselit kjo do të jetë një kthim prapa. Taksa është një prej pengesave kryesore. Qeveria në një moment ka dashur të pozicionet për negociatat që do të vijnë pas Vitit të Ri, por mendoj se është një koncept i gabuar. Është dashur që një herë të përdoren krejt mekanizmat ndërkombëtar e diplomatik, dhe pastaj të vendoset një taksë e tillë. Ne po përpiqemi të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa Qeveria i bëri befasi duke vepruar kundër Bashkimit Evropian. Taksa është çështje kohe dhe muaji se kur do të hiqet përndryshe kjo mund të mbajë pengë të gjitha zhvillimet rajonale dhe jo vetëm marrëdhëniet Prishtinë-Beograd,” thotë Rashiq.

Institucionet e Kosovës janë zotuar se vendimi për taksën ndaj produkteve serbe do të mbetet në fuqi deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale