Ligji për sinjalizuesit është një ndër ligjet më të avancuara që ka miratuar Kuvendi i Kosovës. Por, qysh në fillim duket se nuk do të gjejë zbatimin e duhur.
Kohëve të fundit, në disa raste janë kërcënuar personat që kanë sinjalizuar për shkelje të ndryshme që lidhen me institucionet publike në vend.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kritikuar presionin e institucioneve për t’ja mbyllur gojën zyrtarëve shtetëror për keqpërdorimet në sektorin publik.
Miftaraj në një intervistë për arbresh.info flet edhe për rastin e suspendimit të zyrtarit policor, Afrim Karaxha nga puna me dyshimin se ka zbuluar për media që djali i Shpend Maxhunit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë është përfshirë në një rast penal.
“Fatkeqësisht kemi një reagim të fuqishëm nga institucionet për te ua mbyllur gojën këtyre zyrtareve dhe për të marrë masa edhe ndëshkuese ndaj tyre, në mënyrë që të njëjtit të mos hezitojnë për ta raportuar raste të tilla. Assesi ky është shembulli më i keq i mundshëm për zyrtar të tjerë publik të cilët hasin në shkelje të ligjit nga kolegët apo zyrtarët të tjerë më të lart, dhe të tjerët në një farë mënyre e kanë marrë mesazhin, në qoftë se kanë guximin të raportojnë këso raste atëherë edhe pasojat do të jenë të tilla siç është rasti konkret suspendimin e zyrtarëve të cilët raportojnë korrupsionit apo keqpërdorimet në sektorin publikim,” vlerëson ai.
Ditë më parë është publikuar një video e vërshimeve ku faktohen kushtet e këqija të mbajtjes dhe ruajtjes së barnave në Barnatoren Qendrore në QKUK.
Pas publikimit të videos ka reaguar Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Basri Sejdiu, ku ka kërkuar zbulimin dhe dënimin e personit që ka bashkëpunuar me mediat.
Sa i përket këtij rasti, Miftaraj shprehet se ata që raportojnë shkelje të tilla duhet të kenë mbrojtjen, që ua siguron edhe Ligji për Sinjalizuesit që tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
“Ministria e Drejtësisë e të gjithë që e kanë sponsorizuar këtë ligj, duhet kërkuar që ligji të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë e të paanshëm, pa ndëshkime për ata që raportojnë shkelje të tilla,” deklaron Mifaraj, për arbresh.info.
Sipas tij, ata që raportojnë këto shkelje duhet të kenë mbrojtjen e duhur që ua siguron edhe Ligji për Sinjalizuesit që është miratuar rishtazi në Kuvendin e Kosovës.
“Raportimi i korrupsionit, raportimi i keqpërdorimeve qoftë në keq menaxhim qoftë në keq administrim, është obligim i zyrtarëve publik në raste kur të njëjtit raportojnë këto shkelje atëherë të njëjtit duhet të kenë mbrojtjen e duhur që ua siguron ligji që është hyr në fuqi, dhe miratuar nga kuvendi i Kosovës ligji për sinjalizues”, thotë Miftaraj.
Shteti dhe institucionet, sipas tij, në këto raste duhet të ndërmarrin masa të promovojnë raportime te tilla dhe assesi të ndërmarrin masa ndëshkuese.
Ndryshe Miftaraj, thotë se Ligji për sinjalizuesit është një ndër ligjet më të avancuara që ka miratuar Kuvendi i Kosovës.
“Ligji për sinjalizues ka përcaktuar në mënyrë të qartë rastet ku një zyrtarë publik, i cili punon në institucionet publike mund të raportojë keqpërdorimet e brendshme në sektorin ku ai punon. Ligji për sinjalizues është hyrë në ndër ligjet më të avancuara që ka miratuar Kuvendi i Kosovës, dhe ky ligj përveç mundësisë që jep për të raportuar keqpërdorimet brena Institucioneve në raste kur i njëjti konsideron se këtu nuk do të ketë ndikim i duhur i njëjti mund të dal e t’i raportojë këto keqpërdorime të mundshme”, përfundoi ai.
Kujtojmë se edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka kërkuar të ndalen kërcënimet ndaj burimeve të gazetarëve./Ardita Zeka/arbresh.info/