Gjatë një viti në Klinikën e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kryhen rreth 700 operacione. Ndër to, shumë operacione janë të rralla dhe sfiduese, që zgjasin deri në 10 orë, thonë profesionistët e kësaj fushe.
Kjo klinikë ka vetëm një sallë për operim, ndërkohë që aty ofrohen shërbime të sub-specializuara për intervenime në tru dhe kurriz.
Arsim Morina, neurokirurg, thotë për Radion Evropa e Lirë se prej pas luftës, rastet me tumor e që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike, janë dukshëm më të shprehura sesa para kësaj periudhe.
“Në Klinikën e Neurokirurgjisë, brenda Qendrës Klinike Universitare, është vetëm një sallë operative. Andaj edhe lista e pritjes së pacientëve është e gjatë, për shkak të pamundësisë për t’i operuar në vetëm një sallë. Po t’i kishim dy salla, numri i pacientëve për operim do të rritej dhe lista e pritjes do të zvogëlohej”.
“Janë rreth 700 operacione që kryhen gjatë një viti në këtë klinikë. Prej tyre shumë operacione janë sfiduese e që zgjasin deri në 10 orë”, bën të ditur neurokirurgu Morina.
Ndërkaq, Morina thekson se me barna të listës esenciale qëndrojnë mirë aktualisht, por që përqindja variron. Ai përmend mungesën dhe jofunksionalitetin e aparaturave brenda QKUK-së, të cilat mungesa, sipas tij, po u shkaktojnë probleme pacientëve.
“Barnat esenciale, por edhe ato të tjerat, përqindja është e volitshme shpeshherë, por nganjëherë mungojnë. Kemi më shumë nevojë për rezonancë magnetike, arteriografi, incizimet radiologjike të jenë më të shpejta, pra këto na mungojnë”, thotë Morina.
Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë se në vitin 2019, do të ketë rritje të buxhetit për shëndetësinë. Andaj, siç thotë Matoshi, nëse marrin kërkesa nga menaxhmenti i QKUK- së për çfarëdo investimi kapital, qofshin ato edhe salla operative, do të shqyrtohen dhe mbështeten varësisht sa u lejon buxheti.
“Në vitin 2019 do të ketë rritje të buxhetit për shëndetësi dhe Ministria e Shëndetësisë ka ndarë një buxhet të veçantë sa i përket projekteve kapitale dhe shtatë spitaleve të përgjithshme në gjithë Kosovën. Sa i përket renovimit të sallave dhe shtimit të tyre, apo krijimit të tyre, si dhe blerjen e aparaturës, ministria do të jetë e hapur që secila kërkesë që vjen prej menaxhmenti për t’i mbështetur në zhvillimin e kapaciteteve të tyre, ta mbështesë në bazë të fondit për aq sa ka mundësi.
Sa i përket shtimit të sallës në Klinikë e Neurokirurgjisë, nëse vjen një kërkesë e tillë, do të shqyrtohet”, thotë Matoshi.
Puna në Klinikën e Neurokirurgjisë ishte tejet intensive këtë javë. Të enjten, një pacienteje i ishte larguar përmes operimit, një tumor që i kishte verbuar syrin. Ky intervenim kirurgjik, cilësohet si mjaft sfidues për nga aspekti neurokirurgjik, kurse operacioni kishte zgjatur nëntë orë.