KEDS hedh fajin tek KOST për ndërprerjen e rrymës në Prishtinë

12:25 | 11 Nëntor 2018
A Z

Shpërndarësi i Energjisë Elektrike në Kosovës, KEDS është duke hedh fajin tek Operatori i Sistemit, Transmisioni dhe Tregu, KOSTT për ndërprerjen e energjisë elektrike në Prishtinë.

Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, ka thënë për Gazetën Insajderi, se KOSTT ka punime deri në ora 15:00 dhe se është obligim i KOSTT-it që t’i njoftojë qytetarët për punime.

“Ka punime KOSST ne jemi duke u munduar vetëm mi njoftua banorët përndryshe është obligim i KOSTT-it për me i njoftua qytetarët, jo i joni. Edhe rryma është ndal për shkak të punimeve të KOSTT-it jo për shkak të KEDS-it”, ka thënë Buzhala për Insajderi.

Tutje Buzhala ka shtuar se “Punimet janë duke u bërë prej KOSTT-it, kërkesa është bërë prej KOSTT-it për mu ndal”.

Kryeqyteti tash e dy orë është pa energji elektrike dhe deri para një ore ata nuk kanë marr ndonjë njoftim se do të ketë ndërprerje të rrymës.

KEDS një orë pas është ndal energjia elektrike në faqen zyrtare të saj ka postuar një njoftim për ndërprerje të rrymës në një pjesë të madhe të Prishtinës për shkak të punimeve të paralajmëruar nga KOSTT.

Buzhala ka thënë se ky njoftim është bërë për t’i lajmëruar konsumatorët e tyre për këtë ndërprerje të energjisë elektrike.

Ndërsa në faqen zyrtare të KOSTT, nuk ka asnjë njoftim se do të ketë ndërprerje për shkak të punimeve që janë duke i bërë. Komunikata e fundit e tyre është me datën nëntë nëntor, për pjesëmarrjen e Kryeshefit Ekzekutiv në një ekspozitë.

Me të njëjtën datën edhe KEDS ka dërguar një njoftim për media mirëpo nuk ka paralajmëruar se ne kryeqytet do të ketë ndërprerje të rrymës.

Shpërndaje në rrjete sociale