Po shënohet 100-vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore

11:58 | 11 Nëntor 2018
A Z

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pret rreth 70 liderë botërorë sot në Paris, në ceremoninë për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Armëpushimi hyri në fuqi më 11 nëntor, 1918, duke i dhënë fund kështu luftës katërvjeçare, që la të vdekur të paktën 10 milionë ushtarë dhe miliona civilë.

Macron do të nderojë ushtarët e vrarë gjatë një fjalimi në “Harkun e Triumfit” ku është varrosur një ushtar i panjohur që është vrarë gjatë luftës.

Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron. Paris, 10 nëntor, 2018.

Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron. Paris, 10 nëntor, 2018.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti rus, Vladimir Putin, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, janë në mesin e udhëheqësve botërorë që pritet të marrin pjesë në drekën e shtruar nga presidenti francez në Pallatin Elize.

Në ceremonitë për shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ftesë të Macronit, po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, Thaçi në një konferencë për media nga Parisi një ditë më parë, ka thënë se nuk ka të planifikuarnjë takim me Vuçiqin në Paris.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në Pallatin Elize nga presidenti Macron.

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/2278630895540590

Më 10 nëntor, gjatë një darke morën pjesë shumë liderë. Presidenti Macron paralajmëroi se paqja po merret si e mirëqenë.

“Disa nga ne kanë qenë në fronte të kundërta në atë kohë (gjatë Luftës së Parë Botërore) dhe ne jemi bashkuar sonte. Ky është homazhi më i madh që ne mund të bëjmë” për ushtarët e vrarë, tha ai.

Sot në Paris do të mbahet Forumi i Paqes, ku Macron ka thënë se dëshiron të promovojë një qasje multilaterale për sigurinë dhe qeverisjen.

Merkel tha se Forumi tregon se “sot ka vullnet, dhe këtë gjë unë e them në emër të Gjermanisë me bindje të plotë, se do të bëjmë gjithçka që të kemi një rend më paqësor në botë, megjithëse e dimë se ende kemi shumë punë për të bërë”.

Presidenti Macron dhe kancelarja Merkel

Presidenti Macron dhe kancelarja Merkel

Presidenti Trump nuk pritet që të marrë pjesë në ceremoninë e forumit, ndonëse homologu i tij rus, Putin do të jetë i pranishëm.

Trump ka thënë se nuk do të mbajë një samit dypalësh me Putinin në Paris, teksa Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk kanë dashur që një takim kokë më kokë Trump-Putin, të lë në hije ceremonitë për Luftën e Parë Botërore.

Dy liderët me gjasë do të takohen sërish në samitin e G-20, që do të mbahet në Buenos Aires të Argjentinës më vonë gjatë këtij muaji.

Shpërndaje në rrjete sociale