Kryetari i Lidhjes Demokratike: Kosova ndodhet në një gjendje të rrezikshme

16:32 | 10 Nëntor 2018
A Z

Ai ka shkruar në Facebook se Kosova ndodhet në një gjendje të rrezikshme nga dialogu i pa bashkërenditur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, ka numëruar disa rreziqe në të cilat gjendet Kosova.

Ai ka shkruar në Facebook se Kosova ndodhet në një gjendje të rrezikshme nga dialogu i pa bashkërenditur, sfidat për liberalizim të vizave, Parlamenti që nuk funksionon, nga mungesa e besimit ndërmjet forcave politike, si dhe nga pasojat e kauzave të rrejshme.

Qytetarë të nderuar

Dua të ndaj me juve preokupimin dhe bindjen time se Kosova ndodhet në një gjendje të rrezikshme,

– Nga dialogu i pa bashkërenditur, pa platformë dhe pa legjitimitet demokratik dhe kushtetues;

– Insistimi ndërkombëtër dhe i institucioneve më të larta të vendit për dialog për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, thua se gjatë këtyre viteve nuk është dialoguar apo është dialoguar kot, pa e bërë të qartë se si do të dukej Kosova pas kësaj marrëveshjeje;

– Nga sfidat për liberalizim të vizave, të formimit të ushtrisë; të implementimit të MSA-së; të agjendës së reformave evropiane; të anëtarësimit në Interpol me një qeveri që nuk përfaqëson shumicën, por që ka 7 apo 8 ministra me aktakuza;

– Nga Parlamenti që nuk funksionon në detyrën e tij themelore por është shndërruar në teatër të shfaqjeve të nivelit të ulët etik e gjuhësor;

– Nga mungesa e besimit ndërmjet forcave politike në njëra tjetrën për tu ballafaquar bashkërisht kundrejt synimeve të Serbisë dhe aleatëve të saj për ta zhbërë pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, për ta ndarë Kosovën dhe ajo që mbetet t’i bashkëngjitet Shqipërisë;

– Nga pasojat e kauzave të rrejshme, popullizmit dhe protagonizmit, çmimin e të cilave po e paguajnë, jo akterët por, qytetarët e Kosovës. E që të gjitha këto na sollën në këtë gjendje të mjerueshme ku jemi, në izolim ndërkombëtar, në shtet të korruptuar, në humbjen e besimit të rinisë për të ardhmen e tyre, pa marrë parasysh kush çfarë pozite mban aktualisht.

Ne duhet të gjejmë forcë për të dalë nga kjo situatë shumë e rrezikshme për vendin. Një forcë e cila bazohet në mendje dhe veprime racionale; në logjikën shtetërore. IM

Shpërndaje në rrjete sociale