Mehmeti: Do të krijojmë vetëm një korsi për shërbime urgjente në Prishtinë

13:01 | 11 Tetor 2021

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Urgjente, ku është zotuar se do të ndërtojë korsi të veçantë për automjetet e policisë, zjarrfikësve dhe autoambulancat.

Mehmeti tha se përdorimi i teknologjisë informative dhe digjitalizimi i shënjimit të rrugëve do të lehtësojë punën e urgjencës.

“Sa i përket infrastrukturës, rruga “Agim Ramadani”, pastaj rruga “UÇK”, rruga “Luan Haradinaj”, ku është paraparë unaza e parë në kryeqytet duhet të kenë së shpejti me një vendim i kryetarit, që kjo të bëhet një rrugë një kahore dhe një korsi të jetë për emergjencë, të cilën do ta shfrytëzonin edhe zjarrfikësit, policia dhe gjitha organet relevante. Në këtë mënyrë do të kishim bërë një qarkullim më të shpejtë, pasi janë në pyetje jetën e njerëzve. Për mua ka rëndësi shëndetësia”, tha ai.

Punëtorëve shëndetësore të urgjencës, pretendenti për të parin e Prishtinës iu premtoi edhe rritje të shtesave.

“Në vizionin tim dhe programin rendësi të veçantë ka të bëjë përdorimi i teknologjisë informative, siç e themi ne smart citi. Qendrën monitoruese siç e kemi konceptuar ka ndikim shumë pozitiv sa i përket urgjencës. Në objektin e komunës është paraparë të jetë një qendër komunikuese, aty do të jenë të gjitha organet relevante të komunës…do t’i kemi kamerat në çdo cep të qytetit, do të bëhet kontrolli, po ashtu qytetarët kanë mundësi të drejtpërdrejtë të na njoftojnë me ndodhitë në kryeqytet dhe shërbimit urgjent. Në mënyrë të saktë e dina hyrjet dhe daljet e automjeteve”.

Prioritet të shëndetësisë nga kandidatët për kryetar të Prishtinës, kërkoi drejtori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente, Avdyl Pacolli, derisa paraqiti disa nga sfidat që ballafaqohen.

“Ky institucion ballafaqohet me sfida dhe probleme të shumta, sfidat e institucionet janë, sikurse ju e dini që Prishtina është e mbingarkuar, ka një kaos ndërtimor dhe kaos urbanistik. Po i them sfidat, pasi kryeqyteti akoma nuk e ka një linjë, një korsi për shërbimet emergjente. Gjithsesi nuk është vetëm kjo, pasi kryeqyteti nuk ka hartë të digjitalizuar për vendbanimet tona, sikur një sfidë tjetër është se kemi shumë rrugë në kryeqytet, në fshatra të pa shënuara, pa emër, pa adresë dhe normalisht kjo e bënë punën tonë të vështirë”, tha Pacolli.

Në këtë takim elektoral, u kërkua vota edhe për kandidatët për asamble komunale nga radhët e AKR-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara