Zhegrova sërish në stol, Xhaka e Ajeti titullarë për Baselin ndaj Luganos

15:52 | 7 Prill 2019
A Z

Edon Zhegrova është ftuar përsëri nga Baseli për ndeshjen e kësaj jave në Superligën zvicerane kundër Luganos, por takimin do ta nisë nga banka e rezervistëve.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës ishte ftuar edhe për ndeshjen e javës së kaluar kundër Zurich, por nuk iu dha mundësia fare të paraqitej, raporton Gazeta Express.

Zhegrova iu bashkua gjigantit zviceran në fillim të shkurtit nga klubi i tij Genk, ku do të qëndrojë i huazuar deri në 30 qershor. Baseli ka mundësinë për ta blerë kosovarin në përfundim të huazimit të tij, megjithatë.

Por, që prej transferimit të tij, Zhegrova ka dështuar të bindë, duke regjistruar vetëm dy paraqitje nga stoli, apo 31 minuta në total, ndërsa në ndeshjen e parafundit kundër Luzrenit para dy jave nuk u ftua fare.

Ai u largua nga Genku, ku po ashtu nuk luante dhe ishte lënë jashtë skuadrës plot 15 herë, me qëllim që të gjente hapësirë në Basel.

Ai edhe sot e nis nga stoli, ndërsa në formacioin startues janë dy shqiptarë, Taulant Xhaka i Shqipërisë dhe Albian Ajeti i Zvicrës.

Për Luganon nga stoli e nis Armando Sadiku i Shqipërisë.

Shpërndaje në rrjete sociale