Yakin para ndeshjes me Kosovën: Ndeshjet në shtëpi janë për t’u fituar, nuk bëhet fjalë për një duel vëllazëror

16:37 | 4 Shtator 2025
D.H

Zvicra nesër është nikoqire e Kosovës në ndeshjen e parë hapëse të ciklit të ri kualifikues për Kupën e Botës në kuadër të grupin B.

Një ditë para kësaj përballje para mediave u paraqit trajneri i kombëtares helvete, Murat Yakin, shkruan Arbresh.info.

Përballjet mes Kosovës dhe Zvicrës shumëkush i quan duele vëllazërore por i të njëjtit mendim nuk është trajneri zviceran.

“Kur luajtëm miqësore me Kosovën në mars të vitit 2022 flitej për një duel vëllazëror miqësor. Kjo nuk do të ndodhë më. S’ka më ndeshje vëllazërore”, tha Yakin.

Ai më tej ka folur rreth përgatitjeve për ndeshjen e nesërme.

“Ne arritëm t’i zhvillonim mirë seancat tona stërvitore taktike, gjë që nuk ka qenë gjithmonë e mundur në Zvicër kohët e fundit. Kjo është arsyeja pse jam optimist se mund ta bëjmë lojën tonë nesër”, vazhdoi ai.

Yakin grupin e cilëson të vështirë por thotë se sfidat në shtëpi duhet vetëm të fitohen.

“Edhe pse grupi është i vështirë, dy ndeshjet në shtëpi kundër Kosovës dhe Sllovenisë ofrojnë një mundësi të menjëhershme për të krijuar një pozicion të mirë fillestar. Ndeshjet në shtëpi janë për të fituar”, potencon ai.

Yakin thekson gjithashtu rëndësinë e një fillimi të mirë. Ndërsa ndeshja kundër Kosovës është një “ndeshje në shtëpi”, ai parashikon që raporti i tifozëve nesër do të jetë disi “50:50”.

Për fund ai foli edhe për gjasat për një kualifikim të Zvicrës në Botërorin e vitit të ardhshëm.

“Futbolli është shumë i shpejtë. Kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë kualifikim. Ndeshjet e fundit që kemi luajtur kanë qenë të shkëlqyera. Fryma e ekipit është e mirë. Por në fund të fundit, ato kanë qenë vetëm ndeshje miqësore. Nesër është serioze. Të gjithë presin kualifikimin. Por do të jetë një grup i vështirë”, tha Murat Yakin.

Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës luhet në Bazel nesër me fillim nga ora 20:45.

Zvicra dhe Kosova më parë janë përballur edhe tri herë të tjerë, dy ndeshje zyrtare për kualifikim në Kampionat Evropian si dhe një miqësore.

Të tre këto përballje janë mbyllur baras, dy prej tyre me rezultat 1-1, kurse një tjetër 2-2./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale