Wirtz flet si lojtar i Liverpool: Dua të fitoj trofe

21:00 | 20 Qershor 2025
Q L

Florian Wirtz është përforcimi më i ri i Liverpoolit dhe motivimi kryesor që e ka shtyrë të bashkohet me klubin anglez është dëshira për të fituar trofe.

Mesfushori gjerman është transferuar nga Bayer Leverkusen dhe ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me kampionin e Premier League.

Njëzet e dy vjeçari ka qenë një nga lojtarët kyç në suksesin historik të Leverkusen sezonin e kaluar, ku skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso kishte fituar për herë të parë titullin në Bundesliga dhe gjithashtu edhe Kupën e Gjermanisë.

Duke folur në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, Wirtz ka thënë se e ka ndjekur me vëmendje Liverpool dhe është impresionuar nga mënyra si klubi dhe tifozët e kanë festuar titullin e fituar sezonin e kaluar.

“Isha shumë i lumtur për lojtarët dhe për njerëzit këtu që e përjetuan atë moment”, ka thënë ai. “Nuk kam ardhur këtu vetëm për t’u argëtuar, dua të arrij diçka dhe t’u jap tifozëve atë që e meritojnë”.

Wirtz është shprehur se është shumë ambicioz dhe synon të ndihmojë skuadrën për të fituar sa më shumë trofe. “Do të doja t’i fitojmë të gjitha çdo vit. Së pari duhet të bëjmë punën tonë, unë të bëj timen. Në fund, qëllimi është të kemi sukses, ta fitojmë sërish Premier League dhe të shkojmë më larg në Champions League”.

Përveç suksesit kolektiv, ai ka thënë se dëshiron edhe zhvillim personal si lojtar. “Kam ardhur këtu për ta përmirësuar nivelin tim fizik dhe teknik. Të gjithë e dinë që lojtarët e Liverpoolit janë shumë të fortë fizikisht. Mendoj se kjo është mundësi e artë për mua”, ka theksuar Wirtz.

Mesfushori gjerman ka lënë gjurmë në Leverkusen që nga debutimi i tij në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, duke shënuar pesëdhjetë e shtatë gola dhe duke dhënë gjashtëdhjetë e katër asistime në 197 paraqitje. Ai do t’i bashkohet Liverpoolit në korrik, në fillim të përgatitjeve për sezonin e ri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme