Eliminimi i Real Madrid nga UEFA Champions League në Munich ka lënë shumë lojtarë nën kritika, por dy emra po përmenden më së shumti: Vinícius Júnior dhe Kylian Mbappé.
Madje, kanë nisur të qarkullojnë zëra se njëri prej tyre duhet të largohet nga skuadra, ndonëse një skenar i tillë nuk merret parasysh aktualisht nga drejtuesit e klubit madrilen.
Mbappé arriti të shënojë në Mynih, por ndaj tij ka kritika për mungesë efikasiteti para portës. Në përballjen ndaj Bayern Munich në “Allianz Arena”, ai humbi një rast shumë të pastër në pjesën e dytë.
Përveç kësaj, kritikohet edhe për mosadaptimin në rolin e sulmuesit qendror, pasi shpesh tërhiqet më prapa për të ndërtuar aksionet, duke lënë zonën pa një pikë reference për finalizim.
Në anën tjetër, Vinícius vazhdon një periudhë jo të mirë forme. Edhe ndaj Bayernit, ai shpesh u humb në driblime të tepërta pa rezultat konkret, çka solli edhe tension në fushë, madje me reagime nga bashkëlojtarë si Jude Bellingham.
Bashkëpunimi mes Vinícius dhe Mbappé mbetet i kufizuar. Edhe pse në Mynih kombinuan për një gol, lidhja e tyre në lojë shfaqet vetëm në momente të rralla. Një nga arsyet është edhe tendenca e Mbappé për t’u zhvendosur në krahun e majtë, zonë ku operon zakonisht Vinícius, duke krijuar mbivendosje dhe duke penguar njëri-tjetrin.
Dy lojtarët që pritej t’i sillnin lavdi Real Madrid po hasin vështirësi për të gjetur harmoninë në fushë, një problem që mund të ndikojë seriozisht në planet e klubit për sezonet e ardhshme.
Real Madridi pas eliminimit të mbrëmshëm mbeti pa trofe edhe këtë sezon, pasi gara për La Ligan thuajse është e mbyllur me Barcelonën që ka nëntë pikë më shumë, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro.
Ata po ashtu janë eliminuar herët në Kupën e Mbretit, si dhe u mposhtën në finalen e Superkupës së Spanjës nga Barcelona./Arbresh.info
Liverpool favorit për transferimin e Marcos Senesi
Silva drejt transferimit tek Inter Miami
Konjufca për presidentin: Tërhiqem nga kandidatura, nëse pro...
Prokuroria për rastin në Malishevë: Viktimat u dërguan pa sh...
Familjarja për tragjedinë në Malishevë: Fëmijët i gjeta pa s...
Infantino e rikonfirmon pjesëmarrjen e Iranit në Botëror