Trubin e rrëfen momentin e çmendur: Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte, më thanë të shkoja në sulm

14:37 | 29 Janar 2026
D.H

Portieri ukrainas Anatoliy Trubin e ka përjetuar një nga momentet më të pazakonta dhe emocionuese të karrierës së tij, duke u bërë protagonist në minutat vendimtare të një ndeshjeje dramatike mes Benficas dhe Real Madridit, e vlefshme për xhiron e fundit të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

Duke folur pas takimit, Trubin pranoi se fillimisht ishte i hutuar nga ajo që po ndodhte në fushë.

“Para golit, nuk e kuptova çka po ndodhte. Më thanë ‘edhe 1 gol, edhe 1 gol’, por nuk dija për çfarë po flisnin bashkëlojtarët e mi”, u shpreh portieri.

Situata u bë edhe më e çuditshme për të kur e pa reagimin e të gjithëve rreth tij.

“Pastaj i pashë të gjithë duke më thënë të shkoja në sulm, e pashë trajnerin duke më bërë shenjë të nisem, kështu që dola në sulm”, shtoi Trubin.

Dalja e portierit në zonën kundërshtare e krijoi një skenë të rrallë dhe të jashtëzakonshme, duke i kthyer momentet e fundit të ndeshjes në spektakël të vërtetë.

“Ishte një moment i çmendur, i pabesueshëm për mua”, përfundoi ai, duke mos e fshehur emocionin.

Benfica mund të luaj përsëri me Real Madridin në fazën e 1/16 së finales, pasi madrilenët nuk arritën ta sigurojnë top 8./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale