Real Madridi në krizë të thellë, viti i dytë pa trofe – tashmë po mendohet për sezonin e ri

17:02 | 16 Prill 2026
D.H

Eliminimi nga Liga e Kampionëve dhe dështimi për titull në La Liga ka qenë një goditje e rëndë për Real Madridin.

Brenda klubit pranohet se ekziston shqetësim serioz për mundësinë e një sezoni të dytë radhazi pa trofe, megjithatë askush nuk dëshiron ta përdorë publikisht fjalën “krizë”, raporton Mundo Deportivo.

Zyrtarisht, drejtuesit “mbretërorë” po përpiqen të ruajnë qetësinë, ndërsa prapa skenave ajo vetëm sa përmendet me zë të ulët.

Në “Santiago Bernabéu” kanë vendosur të marrin kohë për reflektim, me synimin që të analizojnë me kujdes gjithçka që ka ndodhur këtë sezon dhe të shmangin vendimet e nxituara.

E ardhmja e Arbeloas në pikëpyetje

Një nga çështjet kryesore mbetet e ardhmja e trajnerit Arbeloa. Edhe pse duket e vështirë që ai të vazhdojë në pankinë, në klub nuk ka ende një vendim përfundimtar. Nuk përjashtohet as mundësia e qëndrimit, por paralelisht ka nisur edhe kërkimi për alternativa të reja.

Zidane, Deschamps, Klopp dhe Pochettino në listë

Lista e kandidatëve është e gjatë dhe përfshin emra të mëdhenj:

  • Zinedine Zidane mbetet gjithmonë një opsion i preferuar, sidomos për presidentin Florentino Pérez, por rikthimi i tij konsiderohet pothuajse i pamundur pasi pritet të marrë drejtimin e Francës.
  • Didier Deschamps është gjithashtu në listë, duke qenë një trajner me përvojë dhe me raport shumë të mirë me Kylian Mbappé.
  • Jürgen Klopp është përmendur shpesh, por vetë gjermani ka mohuar çdo kontakt dhe nuk planifikon rikthim të menjëhershëm në pankinë.
  • Mauricio Pochettino, aktualisht në krye të SHBA-ve, është një tjetër emër që pëlqehet shumë nga drejtuesit e klubit.

Lëvizje të mëdha në merkato

Edhe futbollistët nuk do të shpëtojnë nga ndryshimet. Edhe pse nuk flitet zyrtarisht për “spastrime”, deri në tetë lojtarë mund të largohen këtë verë.

  • Dani Carvajal dhe David Alaba janë drejt largimit pasi kontratat e tyre përfundojnë.
  • Në merkato mund të dalin edhe Dani Ceballos, Eduardo Camavinga, Gonzalo, Fran García dhe Asencio.
  • Sa i përket talentit të ri Franco Mastantuono, ideja është që të huazohet për të fituar më shumë minuta.

Pavarësisht spekulimeve, Real Madridi aktualisht nuk planifikon një shitje të madhe apo transferimin e një superylli. Fokus kryesor mbeten përforcimet në disa pozita kyçe: krahu i djathtë i mbrojtjes, qendra e mbrojtjes dhe mesfusha.

Ndërkohë, Endrick pritet të rikthehet në ekip, ndërsa klubi planifikon edhe riblerjen e Nico Paz.

Në Madrid ka nisur një verë që pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e klubit – mes reflektimit, ndryshimeve dhe kërkimit për rikthim në majat e futbollit evropian./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale