Humbja e AC Milan ndaj Lazio në “Olimpico” ka shkaktuar tensione brenda skuadrës kuqezi, me trajnerin Massimiliano Allegri që këtë herë u detyrua të ruajë qetësinë dhe të menaxhojë situatën në dhomat e zhveshjes.
Milani humbi një mundësi të artë për t’iu afruar liderit Inter, i cili kishte barazuar 1-1 me Atalanta. Goli i vetëm i ndeshjes u realizua nga Gustav Isaksen, duke i lënë kuqezinjtë pa pikë në një moment kyç të sezonit.
Vëmendja kryesore pas ndeshjes u përqendrua te reagimi i Rafael Leão.
Sulmuesi portugez u zëvendësua në minutën e 68-të dhe reagoi me nervozizëm në stol, madje duke shmangur edhe përqafimin e trajnerit Allegri.
Sipas raportimeve, Leão ishte i irrituar nga dy raste në pjesën e dytë, ku fillimisht Strahinja Pavlović dhe më pas Christian Pulisic nuk i pasuan topin në momente të favorshme për të sulmuar portën kundërshtare.
Pas ndeshjes, portugezi kërkoi shpjegime nga bashkëlojtarët, veçanërisht nga Pulisic, ndërsa Allegri ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Brenda klubit ka nisur reflektimi për formën e paqëndrueshme të Leãos. Edhe pse konsiderohet një nga lojtarët kyç të Milanit, paraqitjet e tij të luhatshme – madje edhe brenda të njëjtës ndeshje – po shqetësojnë drejtuesit.
Milani është në garë për një vend në UEFA Champions League, një objektiv që ka vlerë rreth 50 milionë euro për klubin. Kjo e bën edhe më të rëndësishme performancën e yjeve të ekipit.
Kontrata e Leãos skadon në vitin 2028 dhe përfshin një klauzolë largimi prej 170 milionë eurosh. Megjithatë, drejtuesit e Milanit mund të pranojnë oferta rreth 80 milionë euro, duke marrë parasysh statistikat aktuale të lojtarit: 9 gola dhe 2 asistime në kampionat, plus një gol në Kupën e Italisë.
Pas ndeshjes, Leão reagoi edhe në rrjetet sociale, duke ndarë një mesazh me karakter fetar: “Bëj atë që mundesh, e pamundura është detyra ime”, një sinjal që tregon se sulmuesi po kërkon të rikthehet më i fortë pas këtij momenti të vështirë./Arbresh.info
“Shkëlqimi dhe rënia e Prishtinës” – A gab...
Hodhën granatë në oborrin e një shtëpie në Vushtrri, arresto...
FIFA refuzon ndryshimin e kalendarit të Botërorit 2026, Iran...
Rasti tronditës në Lipjan, QKUK për gjendjen e 5-vjeçarit: P...
Konate rikthehet për Liverpool, dyshime për Gomez para përba...
U shpall shtet sponsor i terrorizmit – Çfarë përmban rezolut...