Po kalon në super formë, shumë klube evropiane të interesuara për Asllanin

17:40 | 31 Mars 2025
D.H

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani po kalon në sezonin e tij më të mirë në karrierë.

22-vjeçari është pjesë e Elversbergut në Bundesliga 2 në formë huazimi nga Hoffenheimi.

Ai deri më tani ka shënuar 12 gola e ka dhuruar 5 asistime në divizionin e dytë të futbollit gjerman gjatë këtij sezoni.

Vlera e tij në treg prej 3 milionë euro dhe kontrata e tij tashmë e mbetur deri më 2026 me Hoffenheimin, po i tërheq shumë klube europiane që të interesohen për shërbimet e tij.

Më i interesuari momentalisht po duket të jetë Sportingu i Lisbonës, i cili po e monitoron nga afër sulmuesin dardan.

Nga klubi portugez po e shohin kosovarin si zëvendësuesin e mundshëm të Viktor Gyokeres, i cili me shumë gjasë do të largohet nga klubi gjatë verës.

Interesim për Asllanin ka edhe nga kampionati belg, më konkretisht nga Anderlechti.

Bëhet e ditur se edhe Fenerbahçe e Lille po ashtu kanë interesim për shërbimet e kosovarit. Asllani sezonin e kaluar ishte i huazuar në futbollin austriak te Austria Vienna.

Fisnik Asllani deri më tani ka pesë paraqitje me kombëtaren e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale