Nuk ka fitues në kohën e rregullt, shkon në vazhdime finalja e Ligës së Kombeve

22:55 | 8 Qershor 2025
D.H

Ndeshja finale mes Portugalisë dhe Spanjës e vlefshme për finalen e Ligës së Kombeve ka përfunduar me rezultat 2-2 pas 90 minutave dhe shkon në vazhdime.

Takimi nisi më mirë për “La Roja”, ku që nga minuta e parë u mundua të shënoj golin e epërsisë, shkruan Arbresh.info.

Pas një dominimi të spanjollëve erdhi edhe goli në minutën e 21-të, nga Zubimendi.

Por kjo epërsi nuk zgjati shumë, pasi pesë minuta më vonë Portugalia barazoi pas një goli fantastik të Nuno Mendes.

Spanja iu kthye dominimit sërish, dhe në minutën e fundit të pjesës së parë, realizoi sërish, kësaj radhe me Oyarazabal

Pjesa e dytë pati tjetër fytyrë me portugezët që nisën më mirë madje shënuan, menjëherë me anë të Brunos, por pozicioni i tij ishte jashtë lojë.

Portugalia nuk u ndal dhe gjeti golin e barazimit me anë të Cristiano Ronaldos.

Ai shënoi në minutën e 61-të në ndeshjes. Ky është goli i 138-të në karrierë me kombëtaren për 40-vjeçarin.

Pas këtij goli rrezikoi disa herë, por rasti më të mirë e pati Isco i cili goditi fuqishëm drejt portës por Diogo Costa bëri pritje spektakolare.

Rastin e fundit në ndeshje e pati Bruno, i cili pas një goditje të fortë nga gjuajtja e lirë u ndal nga Unai Simon.

Nëse nuk ka fitues as pas vazhdimeve, ndeshja do të shkoj në penallti.

Kujtojmë se Portugalia do të luaj pa Ronaldon në vazhdime i cili u detyrua të largohet pas një tërheqje muskulore./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale