Presidenti i Bayern Munich, Herbert Hainer, ka përjashtuar çdo mundësi të largimit të Michael Olise, mes spekulimeve që e lidhin yllin francez me një transferim te Real Madrid.
24-vjeçari zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me klubin bavarez, duke kontribuar në 53 gola në 52 ndeshje gjatë edicionit 2025/26. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane, ndërsa emri i tij është përmendur si një nga objektivat e mundshëm të Florentino Perezit.
Megjithatë, Hainer e bëri të qartë se Bayerni nuk ka ndërmend të negociojë për largimin e francezit.
“Michael Olise është lojtar i Bayern Munichut dhe ka kontratë afatgjatë me ne. Ne nuk jemi klub që shet lojtarët e tij”, deklaroi Hainer për mediumin gjerman BILD.
Ai shtoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë ofertë zyrtare nga Real Madridi, por edhe nëse një e tillë do të vinte, qëndrimi i klubit nuk do të ndryshonte.
“Nëse Florentino Perez dëshiron të na bëjë një ofertë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani, mund ta kursejë mundimin. Nuk do ta shisnim as për 150 milionë euro apo më shumë”, theksoi presidenti i Bayernit.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur mediat spanjolle vazhdojnë të spekulojnë mbi identitetin e lojtarit për të cilin Florentino Perez ka paralajmëruar një ofertë rekord prej të paktën 150 milionë eurosh.
Për momentin, duket se Olise nuk do të largohet nga “Allianz Arena”, ndërsa Bayerni e konsideron francezin një nga figurat kyçe të projektit të tij për vitet e ardhshme.
Olise iu bashkua Bayernit nga Crystal Palace në vitin 2024. Ndërsa në këtë sezon shpërtheu me 22 gola e 31 asistime në 52 ndeshje në të gjitha kompeticionet./Arbresh.info
Vazhdon numërimi i votave, këta janë pesë kandidatët më të v...
Rama reagon pas deklaratave të Iranit: Nuk do të frikësohemi...
Tragjedi në Los Angelos – babai vret binjakët e tij 10-vjeça...
Bashkimi nuk ndalet, transferon edhe Arian Azemin
Olise shkëlqen me hattrick, Franca e fiton miqësoren e fundi...
Moza, finalistja e parë e Ferma Vip 3