Një përqafim që vlen më shumë se një mijë fjalë – Vinicius rikthehet, Bernabeu dorëzohet

16:29 | 21 Janar 2026
D.H

Pas ditëve të vështira dhe kritikave të ashpra, Vinicius Junior u rikthye në versionin e tij më të mirë dhe ishte protagonisti absolut në fitoren e Real Madridit ndaj Monacos.

Braziliani jo vetëm që shënoi gol, por edhe asistoi tri të tjerë, duke dhuruar një paraqitje që ktheu fishkëllimat në duartrokitje në Santiago Bernabéu.

Vinicius asistoi për Mbappé, Mastantuono dhe një gol të devijuar nga Kehrer, por momenti kulmor ishte goli i tij spektakolar, i shoqëruar me një festë simbolike.

Pas realizimit, ai shkoi direkt drejt stolit dhe u përqafua me trajnerin Arbeloa – një moment që tregoi më shumë sesa çdo deklaratë.

Misioni i Arbeloas ka qenë i qartë që nga dita e parë: rikthimi i Viniciusit të vërtetë.

Trajneri ka qenë vazhdimisht pranë lojtarit, si në momente të vështira ashtu edhe në ato të lavdisë. Kamerat e “El Día Después” kapën fjalët e tij gjatë ndeshjes kur Bernabéu e fishkëllente brazilianin: “Vazhdo, duro, do ta shpërthesh”.

Dhe ashtu ndodhi. Kundër Monacos, Vinicius ishte i pandalshëm: katër driblime të suksesshme, shtatë raste të krijuara, pesë gjuajtje dhe 10.4 kilometra të përshkuara në fushë – shifra që flasin për një paraqitje totale.

Pas ndeshjes, Arbeloa theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve: “Kur Bernabéu është me të, Vinicius është i pandalshëm. Ky përqafim nuk ishte vetëm për mua, por për gjithë madridistët që e kanë mbështetur”.

Sa i përket të ardhmes, edhe pse kontrata e tij skadon në vitin 2027, rinovimi është më afër. Vetë Vinicius ka deklaruar se është i qetë dhe se ka besim të plotë te presidenti i klubit./Arbresh.info