Portieri i Bayern Munich, Manuel Neuer, ka theksuar në konferencë për shtyp se skuadra bavareze është plotësisht e përgatitur për të pritur Real Madrid, duke paralajmëruar një ndeshje shumë të vështirë pavarësisht fitores në takimin e parë në “Santiago Bernabéu”.
Gardiani gjerman nënvizoi se avantazhi është minimal dhe nuk lejon aspak vetëkënaqësi.
“Avantazhi është që e kemi fituar ndeshjen e parë. Është vetëm një gol. Është një sfidë shumë e fortë për ne. Luajmë në shtëpi dhe për këtë arsye besojmë te vetja, te tifozët dhe te përgatitja jonë. Duhet të kemi kujdes, sepse në të kaluarën kemi parë se si Madridi di të luftojë”.
Neuer shtoi se mungesat te kundërshtari, si ajo e Aurélien Tchouaméni, nuk ndryshojnë qasjen e Bayernit.
“Nuk kanë rëndësi emrat. Është ndeshje e Champions League, luajmë kundër një ekipi, jo kundër individëve”.
Portieri zbuloi se skuadra është përgatitur edhe për mundësinë që kualifikimi të vendoset nga pika e bardhë.
“Analizojmë lojtarët kundërshtarë, shohim si i kanë goditur penalltitë në të kaluarën, por rëndësi ka edhe momenti dhe reagimi i lojtarit. Jemi përgatitur mirë. Kemi diskutuar mes portierëve, do të shohim pamje nga ndeshja e parë dhe video para takimit. Kështu përgatitem unë”.
Ai theksoi se forma e Real Madridit gjatë sezonit nuk ka shumë rëndësi.
“E dimë historinë e tyre dhe përqendrohemi te momenti. Ata e kanë treguar cilësinë në të kaluarën. Nëse janë në ditë të mirë, mund të fitojnë kundër kujtdo”.
Neuer u ndal edhe te debati për portierin më të mirë të të gjitha kohërave.
“Është e vështirë të thuhet. Ka shumë portierë të mëdhenj. Në vitet e fundit nuk mjafton të përmendësh dy apo tre, por tetë apo dhjetë. Për Realin sot është e vështirë pa Thibaut Courtois. Nëse shohim të kaluarën janë Oliver Kahn, Iker Casillas, Gianluigi Buffon, Courtois, Peter Schmeichel… Nuk ka një më të mirin absolut, varet nga epoka”. Gjermani nuk e përfshiu veten në këtë listë.
Në fund, Neuer krahasoi situatën aktuale të Real Madridit me përballjet e mëparshme mes dy skuadrave.
“Nuk bëhet fjalë për atë ndeshje, sepse ky është një ekip tjetër. Tani luajmë në shtëpi dhe e dimë rezultatin e parë. Do të jetë e vështirë, nuk kemi nevojë që dikush të na e thotë këtë. Por kemi shumë potencial. Është një situatë e vështirë për një klub si Madridi. Mund të jenë të rrezikshëm, por unë dua të fokusohem te forma jonë”.
Bayerni ka avantazhin 2-1 nga ndeshja e parë e luajtur në Madrid, derisa takimi i nesërm zhvillohet në “Allianz Arena”, me fillim nga ora 21:00./Arbresh.info
Vushtrria dënohet me një ndeshje pa tifozë
Kryeministri Rama i dorëzon pasaportën shqiptare ish-kryebas...
Kusari-Lila: Kosova po forcon klimën e investimeve
Dinamo ndanë rrugët me trajnerin Arsim Abazi
Arrestimi i serbit në veri, Policia: Dyshohet se gjatë luftë...
Atletico – Barça, publikohen formacionet zyrtare