Muriqi thirrje tifozëve: Tash është koha për t’u bashkuar, jo për t’u ndarë

00:00 | 16 Janar 2026
E.G

Lojtari i Mallorcas, Vedat Muriqi, ka dalë në mbrojtje të skuadrës pas reagimeve të ashpra të tifozëve për paraqitjet e dobëta dhe rrezikun e rënies nga La Liga. Tifozët kanë kërkuar dorëheqjen e bordit dhe shpjegime nga lojtarët, por sulmuesi kosovar u ka bërë thirrje të gjithë të qëndrojnë të bashkuar.

Muriqi, ka thënë se është momenti për të qëndruar të bashkuar.

“Nëse i prishim marrëdhëniet tani kur kanë mbetur edhe 19 ndeshje, jemi të mbaruar,” ka deklaruar Muriqi për radion spanjolle “Cope”.

Ai ka theksuar se e kupton zemërimin e tifozëve, por është i bindur se situata mund të ndryshojë.

“E kuptoj brengën e tifozëve për paraqitjet tona dhe kritikat e tyre. Por duhet të bashkohemi dhe të përmirësohemi”, ka deklaruar ai.

Muriqi ka bërë gjithashtu një pasqyrë të situatës aktuale të skuadrës, duke theksuar mungesën e vetëbesimit dhe nevojën për të krijuar më shumë mundësi për shënim.

“Ne duhet të ndërtojmë më shumë gjëra, ndonjëherë na mungon pasimi final. Flas me gjithë bashkëlojtarët dhe ata e dinë se unë do të jem aty për çdo harkim”, ka theksuar ai.

Pavarësisht presionit, Muriqi thekson se roli i tij si lider nuk varet nga shiriti i kapitenit.

“Gjithë jetën time pas vdekjes së babait kam qenë lider në familje. Në fushë nuk më duhet shiriti për të udhëhequr. Synimi im është fitorja dhe bashkëlojtarët më respektojnë”, ka theksuar ai.

Në këtë sezon, Muriqi ka shënuar 11 gola dhe është afër rekordit të legjendës Samuel Eto’o, i cili ka 54 gola me Mallorcan në La Liga.

Shpërndaje në rrjete sociale