Messi shkruan histori në MLS, shpallet për të dytin vit me radhë MVP

18:07 | 9 Dhjetor 2025
D.H

Superylli i Inter Miami CF, Lionel Messi, është shpallur fitues i Landon Donovan MLS MVP 2025, duke hyrë në histori si lojtari i parë që e fiton çmimin në dy sezone radhazi.

Pas sezonit fantastik 2024, argjentinasi e ngriti edhe më lart nivelin, duke e mbyllur edicionin 2025 me 29 gola dhe 19 asistime në 28 ndeshje, shifra që i sollën edhe MLS Këpucën e Artë 2025.

Ai e tejkaloi performancën e tij të vitit të kaluar (20 gola, 16 asistime), ndërsa totalizoi 48 kontribuime në gola, statistika që përbëjnë shifrën e dytë më të lartë në historinë e kampionatit, vetëm një më pak se rekordi i Carlos Velas në 2019.

Messi shkroi edhe disa rekorde të tjera historike ku u bë lojtari i parë në MLS me të paktën tre kontribuime në gola në nëntë ndeshje radhazi.

Ai realizoi 10 ndeshje me dopietë ose më shumë dhe është i vetmi lojtar që ka regjistruar të paktën 36 kontribute në gola në më shumë se një sezon (2024 dhe 2025).

Në MLS Cup Playoffs 2025, Messi vazhdoi dominimin me 15 kontribuime (6 gola, 9 asistime), duke vendosur rekord të ri për fazën e “playoff”-it. Ai u shpall edhe MVP i MLS Cup 2025, pasi udhëhoqi Inter Miamin drejt titullit të parë në histori me fitoren 3-1 ndaj Vancouver Whitecaps FC./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale