Mbappe në garë me kohën për Cityn, Bellingham kërkon mendim të dytë në Londër pas lëndimeve

16:34 | 4 Mars 2026
D.H

Ylli i Real Madrid, Kylian Mbappe, ndodhet prej disa ditësh në Paris, ku ka udhëtuar për të kryer ekzaminime shtesë lidhur me dëmtimin në gju që e mori së fundmi. Testet kanë konfirmuar të njëjtin diagnozë që kishte marrë në Madrid: një ndrydhje në gju.

Sulmuesi francez po punon kundër kohës për të qenë gati të mërkurën në përballjen e madhe ndaj Manchester City, në një duel vendimtar për “Los Blancos”.

Ndërkohë, edhe Jude Bellingham nuk ndodhet në Madrid. Mesfushori anglez ka udhëtuar drejt Londrës për të kërkuar një mendim të dytë mjekësor, pasi rikuperimi i tij po ecën më ngadalë se sa ishte parashikuar. Në klub llogarisin se ai vështirë se do të rikthehet para fillimit të muajit prill.

Nga klubi madrilen theksojnë se këto udhëtime nuk janë shenjë mosbesimi ndaj stafit mjekësor. Përkundrazi, është vetë shefi i shërbimeve mjekësore, Niko Mihic, ai që propozon marrjen e mendimeve të dyta nga specialistë të besuar të lojtarëve.

Gjithçka bëhet nën mbikëqyrjen e plotë të klubit, ndërsa si Mbappe ashtu edhe Bellingham shoqërohen nga rehabilitues të Real Madridit gjatë trajtimit të tyre.

Kjo metodologji nuk është e re në “Santiago Bernabéu”, pasi Mihic e ka aplikuar edhe gjatë periudhës së tij të parë në klub (2017-2023). Real Madridi prej vitesh bashkëpunon me konsulentë të jashtëm për lëndime specifike, me specialistë nga e gjithë bota.

Në të kaluarën, Real Madridi ka bashkëpunuar edhe me emra të njohur ndërkombëtarë si Dan Cooper, ish-shef mjekësor i Dallas Cowboys në NFL, si dhe Kris Jones, drejtor i shërbimeve mjekësore te Los Angeles Lakers, specialist për dëmtimet në gju, bërryl dhe shpatull.

Tashmë vëmendja e të gjithëve në Madrid është te rikuperimi i Mbappé dhe nëse ai do të arrijë të jetë gati për sfidën vendimtare ndaj Manchester Cityt, ndërsa Bellingham mbetet një mungesë e sigurt për javët në vijim./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme