Futbollisti sllovak, Tomáš Suslov është rikthyer në fushë gjashtë muaj pas një dëmtimi të rëndë. Me fanellën e Hellas Verona ai u aktivizua në minutën e 82-të në ndeshjen e së premtes në Serie A kundër Sassuolo, duke regjistruar paraqitjen e tij të parë në sezonin aktual.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë (SFZ), ai u shpreh se dëshiron të ndihmojë kombëtaren në ndeshjet e “play-offit” për kualifikimin në Botërorin 2026.
Suslov pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e majtë gjatë një stërvitjeje në gusht të vitit të kaluar.
Pas operacionit, e pritën javë dhe muaj të gjatë rikuperimi e rehabilitimi. Ai u rikthye për Hellas në transfertën ndaj Sassuolos, në një moment kur skuadra e tij ishte në disavantazh 0:3. “Ndjenjat ishin pak të përziera, sepse ndeshja ishte praktikisht e vendosur. Megjithatë, isha shumë i lumtur që pas një kohe të gjatë u riktheva aty ku ndihem më mirë,” tha 23-vjeçari për “futbalsfz.sk”.
Ai ka ndjekur me vëmendje paraqitjet e bashkëlojtarëve të tij në kualifikimet për Kampionatin Botëror.
“I kam mbështetur shumë djemtë, kam qenë në çdo ndeshje në shtëpi dhe mendoj se kanë bërë një punë të shkëlqyer. E arritëm objektivin tonë dhe besoj fort se në mars do të luajmë dy ndeshje të mëdha dhe do ta gëzojmë Sllovakinë”, tha ai tutje.
Vetë Suslov po bën maksimumin për të qenë gati për “play-offin” e marsit.
“Po bëj gjithçka që të jem i gatshëm dhe të ndihmoj ekipin. Nëse gjithçka shkon sipas planit, besoj se do të kontribuoj,” tha ai.
Ndeshjen e fundit me kombëtaren e Sllovakisë e ka zhvilluar më 23 mars 2025 në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë në Ljubljanë.
Pas një viti, ai mund të rikthehet sërish me fanellën e kombëtares së Sllovakisë, e cila më 26 mars do të përballet me kombëtaren e Kosovës në gjysmëfinalen e “play-offit”.
“Kosova do të jetë shumë agresive. Lojtarët e saj kanë mentalitet të fortë dhe për ta është një mundësi unike për t’u kualifikuar në Botëror. Prandaj pres një ndeshje shumë të fortë dhe të ngushtë, ku detajet do të bëjnë diferencën”, tha ai.
Ndeshja Sllovaki – Kosovë luhet me 26 mars, dhe fituesi do të luajë në finale të “play-offit”.
Aty, ose Kosova ose Sllovakia do të kenë punë me Turqinë ose Rumaninë.
Hamza: Osmani s’i ka të garantuara nënshkrimet e PDK-së për ...
Prokuroria propozon arrest shtëpiak për Artan Grubin dhe kon...
Hapet së shpejti konkursi për ushtarë të rinj në FSK
E ardhmja e Luciano Spallettit lidhet me ndeshjen ndaj Galat...
Publikohet klipi zyrtar i finalistëve të Big Brother VIP Kos...
Hamza: Asnjë emër për presidentin në takim me Kurtin, diskut...