Kosovës i mungon edhe një futbollist ndaj Maltës

15:20 | 4 Qershor 2021
A Z

Ekipi kombëtar i Kosovës ka mbetur pa një tjetër futbollist për ndeshjen e sotme ndaj Maltës. Në fakt, Federata e Futbollit të Kosovës njofton se Astrit Selmani nuk do të mundë ta ndihmojë ekipin e Bernard Challandes në duelin që do të luhet në Austri.

“Me rekomandim të stafit mjekësor të ekipit Kombëtar, futbollisti i Hammarby IF, Astrit Selmani, nuk do të paraqitet në ndeshjen e sotme miqësore kundër Maltës. Përkundër dëshirës së madhe të futbollistit që të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Challandes për këtë ndeshje, ky i fundit pas ekzaminimeve mjekësore dhe rekomandimit të stafit mjekësor ka vendosur që të mos rrezikojë me aktivizimin e tij, në mënyrë që ai ta kalojë sa më shpejtë këtë lëndim të lehtë dhe të jetë i gatshëm për ndeshjet e rëndësishme të shtatorit në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022””, njofton shtëpia e futbollit kosovar.

Ndërkohë, pjesa tjetër e futbollistëve janë të gatshëm për miqësoren e sotme, e dyta për muajin qershor pas asaj ndaj San Marinos, e cila ishte zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.