Koreja e Veriut tërhiqet nga kualifikimet për Kupën e Botës 2022

12:06 | 16 Maj 2021

Konfederata Aziatike e Futbollit ka njoftuar se Koreja e Veriut është tërhequr nga kualifikimet për Kupën e Botës 2022.

Pyongyangu zyrtar nuk ka dhënë ende asnjë arsye zyrtare për tërheqjen nga kualifikimet e muajit tjetër për Kupën e Botës, që do të mbahet në Katar në nëntor dhe dhjetor 2022, por mediat e Koresë së Jugut kanë raportuar se kjo është për shkak të shqetësimeve rreth COVID-19.

Për shkak të përhapjes së virusit, nuk ka pasur ndeshje kualifikuese në Azi që nga nëntori 2019 dhe për të minimizuar udhëtimet, AFC-ja ka vendosur që të gjitha ndeshjet e grupeve në raundin e dytë të luhen në qendrat kryesore.

Koreja e Jugut është planifikuar të presë Korenë e Veriut, Turkmenistanin, Libanin dhe Sri Lanka në ndeshjet kualifikuese të Grupit H nga 3-15 qershor në qytetin Goyang, në veri të Seulit.

Me tre ndeshje të mbetura, Koreja e Veriut ishte në vendin e katërt në grupin H kualifikues, me tetë pikë bashkë me Libanin dhe Korenë e Jugut dhe një pikë prapa liderit Turkmenistan. Vetëm fituesve të grupeve u garantohet një vend në raundin e tretë të kualifikimit, i planifikuar të fillojë në shtator, së bashku me katër vendet e dyta më të mira.

AFC-ja ka thënë se do t’i referojë vendimin se si tërheqja do të ndikojë në renditjen e Grupit H tek organi qeverisës botëror FIFA.

Vendimi do të thotë gjithashtu që Koreja e Veriut do të humbasë Kupën Aziatike 2023, që do të mbahet në Kinë, pasi kualifikimi për Kupën e Botës dhe turneun kontinental janë të kombinuara.

Komiteti Olimpik i Koresë së Veriut gjithashtu ka thënë muajin e kaluar se vendosi t’i braktisë Lojërat Olimpike të Tokios për të mbrojtur atletët e saj nga infeksionet e koronavirusit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara