Klopp “ëndrra” e madhe e Perezit, “mbreti” i Realit ka dy opsione për trajnerin e radhës të “Los Blancos”

09:42 | 13 Janar 2026
D.H

Vetëm gjashtë muaj pas marrjes së drejtimit të Real Madridit, Xabi Alonso vendosi të ndërpresë aventurën e tij tek “Los Blancos”.

Vendimi erdhi këtë të hënë, menjëherë pas humbjes 3-2 nga Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës, shkruan Arbresh.info.

Ish-trajneri i Bayer Leverkusen arriti një marrëveshje me klubin për të përfunduar bashkëpunimin në mirëkuptim të ndërsjellë.

Florentino Pérez vendosi të emërojë Álvaro Arbeloa në pankinën e ekipit të parë, pas arritjeve me Real Madrid Castilla.

Ky vendim ka habitur mediat spanjolle. Ndërsa Arbeloa njihet për seriozitetin dhe punën me të rinjtë, mbeten dyshime mbi aftësinë e tij për të menaxhuar një dhomë zhveshjeje të mbushur me yje dhe egot e mëdha të lojtarëve.

Emërimi i Arbeloas nuk e ndalon drejtuesinë madrilene të punojë prapë në sfond. Sipas gazetarit Santi Aouna, Florentino Pérez ka dy emra të mëdhenj në listë për të marrë drejtimin e ekipit.

Jürgen Klopp është favorit. Që prej largimit nga Liverpool në 2024 dhe nisjes së rolit si drejtor i futbollit në sistemin Red Bull në janar 2025, trajneri gjerman lidhet shpesh me Realin.

Profil që pëlqehet shumë nga Pérez, pavarësisht deklaratave të fundit të CEO të Leipzig, Oliver Mintzlaff, i cili theksoi se Klopp ndihet si në shtëpi dhe nuk ka klauzolë largimi.

Nëse dështon gjermani atëherë ekziston edhe “plani B”, trajneri italian Enzo Maresca i sapo larguar nga Chelsea. Ai mbetet opsioni tjetër i besueshëm./Arbresh.info

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale