“Jam i trishtuar, por krenar për skuadrën”, Sylvinho flet pas humbjes me Poloninë

08:30 | 27 Mars 2026
E.K

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, foli pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në Varshavë teksa u shpreh se ndihet i trishtuar për rezultatin, por njëkohësisht krenar për paraqitjen e skuadrës.

Ai theksoi se Shqipëria zhvilloi një ndeshje të barabartë ndaj një kundërshtari të fortë dhe me përvojë në arenën ndërkombëtare.

“Jam shumë i trishtuar brenda, nuk dua të humbas. Por është futbolli, mund të ndodhë gjithçka. Kemi bërë ndeshjen tonë dhe kemi luajtur si të barabartë ndaj një skuadre të rëndësishme si Polonia. Jam krenar për djemtë”, u shpreh ai.

Sylvinho theksoi se skuadra përgatitet në mënyrë profesionale dhe se në fushë aktivizohen lojtarët që ai i konsideron më të mirët. Ai nënvizoi se golat e pësuar erdhën nga lojtarë të nivelit të lartë si Robert Lewandowski dhe Piotr Zielinski.

Trajneri u ndal edhe te mundësitë e humbura, duke pranuar se ekipi kishte shanse për të mbyllur ndeshjen. “Shënuam, kishim mundësi të tjera për gol. Edhe pas ndërrimeve patëm raste. Ky është futbolli”, tha ai.

Duke folur për të ardhmen, Sylvinho theksoi se fokusi i tij mbetet te ndeshja e radhës.

“Jam i trishtuar, por duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër. Do të shkojmë në Valencia për përballjen me Ukrainën dhe më pas do të shohim. Kam kontratë deri në korrik dhe do të vendoset në vazhdim”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Shqipëria është në një proces ndërtimi dhe se arritjet e fundit tregojnë progres.

“Tre vite më parë askush nuk mendonte se kjo skuadër do të ishte në Europian apo në play-off të Botërorit. Është një rrugëtim që kërkon durim”, deklaroi trajneri.

Pas ndeshjes, zhgënjimi ishte i dukshëm te kuqezinjtë. Kamerat fokusuan Stavro Pilon në lot, ndërsa edhe Myrto Uzuni u shfaq i emocionuar.

Ndërkohë, Lewandowski u pa duke përshëndetur disa nga lojtarët shqiptarë, mes tyre Juljan Shehun, Ardian Ismajlin dhe Kristjan Asllanin.

Shqipëria u eliminua në gjysmëfinalen e play-off-it për Botërorin 2026, pasi Polonia përmbysi rezultatin, duke shuar shpresat e kualifikimit që u krijuan pas avantazhit në pjesën e parë