Infantino e rikonfirmon pjesëmarrjen e Iranit në Botëror

17:20 | 16 Prill 2026
D.H

Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka rikonfirmuar se Kombëtarja e Iranit do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, pavarësisht tensioneve dhe konfliktit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë për mediat, Infantino theksoi se pjesëmarrja e Iranit është e padiskutueshme, duke vlerësuar rëndësinë e përfaqësimit sportiv në arenën ndërkombëtare.

“Ekipi përfaqësues i Iranit do të paraqitet padyshim”, ka deklaruar ai për “Sky Sport”.

Kreu i FIFA-s nënvizoi se përfaqësuesja iraniane e ka fituar të drejtën për të qenë pjesë e turneut më të madh të futbollit në botë përmes kualifikimit në fushë.

“Ata përfaqësojnë njerëz, janë kualifikuar dhe dëshirojnë të luajnë”, shtoi Infantino, duke përmendur edhe takimin e tij me ekipin iranian në Antalya pak javë më parë.

Edhe brenda kampit iranian mbizotëron optimizmi për pjesëmarrje në Botëror. Përzgjedhësi i kombëtares, Amir Ghalenoei, u shpreh i bindur se skuadra do të jetë pjesë e garës.

“Nuk ka arsye të mos paraqitemi dhe, me ndihmën e Zotit, ne do të luajmë”, deklaroi ai.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ministri i Sportit i Iranit, Ahmed Donjamali, i cili ka theksuar besimin se përfaqësuesja do të marrë pjesë normalisht në turne.

Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet këtë verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë duke shënuar një edicion historik me organizim të përbashkët nga tri shtete.

 

Shpërndaje në rrjete sociale