KQZ: Përfundohet votimi në 26 përfaqësi diplomatike të Kosovës

21:06 | 6 Qershor 2026
E H

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përmbyllur procesi i votimit në 26 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, në 16 shtete të ndryshme, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas KQZ-së, votimi është mbyllur në përfaqësitë diplomatike në Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikën Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, procesi i votimit pritet të përfundojë në orën 01:00 pas mesnate (sipas kohës në Kosovë) në katër përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Pas përfundimit të votimit edhe në këto shtete, KQZ ka paralajmëruar se do të dalë me njoftim të ri zyrtar.

Gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, KQZ ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike, ndërsa zyrtarët e shërbimit votues kanë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e procesit në përputhje me ligjin dhe procedurat në fuqi. Sipas institucionit, procesi në përgjithësi është zhvilluar pa probleme të theksuara.

KQZ ka shprehur falënderim për stafin e misioneve diplomatike dhe anëtarët e këshillave të vendvotimeve për angazhimin e tyre gjatë gjithë ditës së votimit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 26 përfaqësitë ku është mbyllur procesi dhe nga të dhënat deri në orën 13:00 nga SHBA dhe Kanada, nga gjithsej 27,724 votues të regjistruar kanë votuar 80.85% ose 22,414 votues.

KQZ ka bërë të ditur se fletëvotimet nga përfaqësitë diplomatike nuk do të numërohen në vendvotime, por do të transportohen në Kosovë, ku në ditët në vijim do të bëhet numërimi i tyre./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale