Ilir Krasniqi rikthehet në stërvitje, pritet të jetë gati për Kosovën ndaj Sllovakisë

23:30 | 16 Mars 2026
D.H

Mbrojtësi i Kosovës, Ilir Krasniqi, është rikthyer në stërvitje me klubin e tij Polissya Zhytomir, pasi shqetësoi tifozët javën e kaluar me një lëndim të pësuar gjatë një ndeshjeje miqësore.

25-vjeçari publikoi në rrjetet sociale një fotografi nga seanca stërvitore me ekipin ukrainas, ku shihet i buzëqeshur dhe në gjendje të mirë fizike.

Krasniqi u lëndua javën e kaluar në miqësoren ndërmjet Polissya Zhytomir dhe Livyi Bereh Kyiv.

Megjithatë, ekzaminimet mjekësore konfirmuan se ai nuk ka pësuar dëmtim të ligamentit apo të meniskut në gjurin e këmbës së djathtë.

Mbrojtësi kosovar ka gjasa të jetë i gatshëm për ndeshjen e së enjtes ndaj Kudrivka.

Po ashtu, ai pritet të jetë në dispozicion edhe për Kombëtaren e Kosovës në përballjen gjysmëfinale të playoffit për Kupën e Botës kundër Sllovakisë, ndeshja zhvillohet më 26 mars në Bratislava.

Krasniqi pritet të jetë një nga opsionet për qendrën e mbrojtjes, sidomos në mungesë të kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, i cili muajin e kaluar pësoi lëndim.

Shpërndaje në rrjete sociale